Në Komoran nis ndërtimi i çerdhes për fëmijë

Sot është vendosur guri i themelit për ndërtimin e çerdhes publike në Komoran të Drenasit.

Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, në vendosjen e gurit të themelit për ndërtimin e çerdhes, kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka, këshilltari i Ministrit të Arsimit, Beqir Kiqina, anëtari i Kuvendit të Komunës, Petrit Gashi dhe zyrtarë tjerë të nivelit lokal e qendror.

Pas vendosjes së gurit të themelit, kryetari Lladrovci ka thënë se me ndërtimin e këtij objekti shumë të nevojshëm për rrethinën e Komoranit po përmbushen premtimet dhe obligimet e Komunës karshi investimeve për të mirën e qytetarëve.

Objekti i çerdhes në Komoran është paralajmëruar të përfundojë gjatë vitit 2021.

Ky projekt financohet nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Drenasit dhe vlera e projektit është mbi 500 mijë euro.

Çerdhja do të këtë në dispozicion hapësirë për mbi 120 fëmijë.