Ismet Bahtjari e Sabit Jonuzi dalin sot para Gjykatës Speciale për t`u përballuar me akuzat që iu vihen në barrë

 

Gjykata Speciale, përmes vendimit zyrtar, ka njoftuar se ka vendosur për datat për seancat e paraqitjes së parë para gjykatës të Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit për akuzat që iu vihen në barrë.

Sipas vendimit të gjykatës, Ismet Bahtjari do të paraqitet ditën e sotme para Gjykatës Speciale në orën 14:00, ndërsa Sabit Januzi po ashtu sot, por në orën 15:15.

Gjyqtari i kësaj çështje në procedurë paraprake është Nicholas Guillou.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, në fillim të secilës prej seancave të paraqitjes së parë, administratori është autorizuar që të organizojë bërjen e fotografive për një minutë e gjysmë, për të siguruar transparencën dhe dokumentimin e ngjarjes.

Palët janë urdhëruar që të paraqesin parashtrimet e tyre lidhur me gjuhën e punës që do të përdoret në këtë proces në secilën prej seancave të paraqitjes së parë.

Përveç kësaj, një konferencë mbi ecurinë e çështjes është caktuar të mbahet të enjten, më 12 tetor 2023, në orën 14:00, në përputhje me paragrafin 19 të vendimit të Gjykatës Speciale.

Gjithashtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar është urdhëruar që deri në datën 10 tetor 2023, të dorëzojë version të redaktuar konfidencial dhe version të redaktuar publik të aktakuzës.

Sipas vendimit, kërkohet që ky proces të përmbushet në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në paragrafin 20 të vendimit.

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari akuzohen për vepra të ndryshme penale që përfshijnë kërcënimin e rëndë, veprimin e përbashkët të një grupi personash për të penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, dhe frikësimin gjatë procedurës penale.

Sipas aktakuzës, akuzat përfshijnë ngjarjet që kanë ndodhur nga 5 prilli deri më 12 prill 2023. Aktakuza e publikuar specifikon veprimet dhe kontaktet që kanë ndodhur midis Januzit, Bahtjarit, dhe personat të tjerë me emra që janë të redaktuar në aktakuzën e publikuar dhe dëshmitarit 1 që është i përfshirë në procesin zyrtar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Më 06 tetor 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte njoftuar se ka arrestuar në Kosovë më 05 tetor 2023, Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin në bazë të një fletëarrestimi dhe urdhëri për transferim të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas njoftimit, Bahtjari dhe Januzi u arrestuan nën dyshimet për krime kundër drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në njoftim theksohej se të dyshuarit u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.

Dosja e Gjykatës Speciale ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit