Kopshti me baze ne komunitet 'Botanika'

Kopshtet me bazë në komunitet në Prishtinë nga janari ngritin çmimin

Disa kopshte më bazë në komunitet në Prishtinë pritet të rrisin çmimin e pagesës mujore për fëmijë nga muaji janar i 2024-ës si shkak i rritjes së çmimeve e pagave të ulëta të stafit të cilët kanë paralajmëruar largimin.

Në një vendim të kopshtit ‘Cicërima’ në lagjen ‘Kalabria’ thuhet se nga Kuvendi i Anëtarëve që përbëhet prej prindërve ka vendosur për rritje çmimi nga 100 euro në 130 euro në muaj për fëmijë.

“Trendi i inflacionit në vitet e fundit ka pas një impakt zingjiror në ngritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme, kjo ka detyruar kopshtin që të shqyrtojë gjendjen financiare dhe ka rezultuar se ngritja e çmimeve ka rënduar gjendjen e kopshtit”- thuhet në vendim.

“Po ashtu, kopshti ka marr parasysh edhe rritjen e pagave në gjithë sektorët, të cilat mund të jenë atraktive për punonjësit e kopshtit pasi mund të largohen për shkak të pagave që ka mundësi të i’u ofrohen në sektoret tjerë”- thuhet tutje në vendim.

Në këto kopshte komuniteti vendos për menaxhimin e tyre. Gjatë hapjes së këtyre kopshteve përfaqësuesit e këshillit të prindërve, vetë i kanë intervistuar punëtorët dhe e kanë zgjedhur udhëheqësin/en. Vetë prindërit po ashtu e mbikëqyrin punën në këto kopshte sepse konsiderohet se më së miri mbikëqyrjen mund ta bëjë një prind që e ka fëmijën e tij në atë institucion parashkollor. Pagat e stafit po ashtu varen nga pagesat e prindërve.

Derisa, komuna i përkrah me shujta nga ndërmarrja ‘Kuzhina Qendrore’ si dhe skemën e ndihmës financiare prej 70 euro për prindër të cilët nuk kanë pagë më shumë se 500 euro në muaj, në mënyrë që të kenë lehtësi në pagesën për kopsht.

Në disa përgjigje për Kallxo.com  kopshti ‘Cicërima’ thuhet se Komuna e Prishtinës ka qenë në dijeni për gjendjen e rëndë financiare përmes kërkesave për mbeshtetje e takim.

Derisa, potencohet se nuk ka pasur ankesë nga prindërit për këtë ngritje.

“Çdo vendim në Kopsht merret me Kuvendin e Anëtarëve dhe Këshillin e Prindërve të Kopshtit. Ku çdo vendim bazohet në Ligjet dhe Nenet e Legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës po ashtu mbështetet edhe në rregulloren e brendshme të institucionit”- thuhet në përgjigje të kopshtit.

“Ndryshimi i ligjit për pagat në sektorin publik konkretisht (kopshtet publike) ka bërë që edukatoret të bojkotojnë punën që nga janari i vitit të ardhshëm”- potencon ky kopsht.

Me të njëjtin problem përballen edhe kopshte tjera me bazë në komunitet, vendim i ngjashëm do zbatohet edhe në Kopshtin ‘Ketrushët’ në Tophane si dhe ‘Botanika’ në lagjen Mati.

Blerta Bajrami e cila është në bord të antarëve të Këshillit të Prindërve në kopshtin ‘Ketrushët’ në një deklarim për Kallxo.com tha se kanë dëgjuar që eduakatorët kanë bërë kërkesë për dorëheqje për shkak të pagave të ulëta.

“Ne si prind kemi qenë të brengosur për shkak se fëmijët mandej po e kanë problem të adaptohen me staf të ri. Pagat kanë qenë mëse të ulëta. Deri tash nuk ka ankesa, siç e dini në kopshte tjera private nuk ka çmim nën 150 euro”- tha ajo.

Ajo tutje shtoi se Komuna është e njoftuar për këtë gjendje.

“Nëse do kishte pasur ndihmë prej tyre ndoshta nuk kishte ardhur deri tek ngritja e çmimit”- shtoi Bajrami.

Pagat e stafit të këtyre kopshteve varen kryesisht nga pagesat e prindërve.

N. H. po ashtu prind që ka fëmijë në kopshtin ‘Ketrushët’ deklaroi se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, përpos marrjes së këtij vendimi.

“Vendimi është marr nga Kuvendi i Anëtarëve si pasojë e pagave shumë të ulëta të personelit edhe pse disa herë është kërkuar mbështetje nga komuna dhe drejtoria e Arsimit, shtrenjtë është por nuk kemi pas zgjidhje tjetër, ka qenë pa qare ky vendim”- shtoi N. H.

Kallxo.com ka kërkuar detaje nga Drejtoria e Arsimit në komunë si dhe kabineti i kryetarit Përparim Rama, nëse janë në dijeni për këtë vendim të këtyre kopshteve dhe nëse kanë shqyrtuar mundësinë për të kontribuar në paga të punonjësve, por nuk është dhënë ndonjë përgjigje.

Komuna e Prishtinës ka 9 kopshte me bazë në komunitet në lagje të ndryshme që vetëmenaxhohen nga Këshillet e Prindërve.