Komuna e Prishtinës tregon se çfarë do bëjë më drunjt e tharë që u zhvendosën nga zona e punimeve për Parkingun Nëntokësor

Para disa ditësh, Kallxo.com raportoi për disa drunj që ishin tharë tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Këta drunj janë bartuar nga zona ku po bëhen punime për Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik.

Fatbardha Mehmetukaj, zyrtare për mbrojtjen e mjedisit në komunën e Prishtinës tha për Kallxo.com, se shumë shpjet do bëhet një vlerësim nëse do largohen apo zëvendësohen.

“Për vlerësimin e gjendjes së këtyre drunjve shumë shpejtë do të formohet një ekip ku do të vendoset se a do të largohen tërësisht këta drunj apo ka gjasa që të qëndrojnë. Nëse vendoset që këta drunj duhet t’i largojmë ata do të zëvendësohen me llojin e njëjtë”, tha Mehmetukaj.

Mehmetukaj ka thënë se hapësira nga ku janë larguar këta drunj do kthehet në sipërfaqe gjelbëruese.

“Hapësira pas përfundimit të projektit të parkingut do të kthehet prapë në sipërfaqe gjelbëruese me hapësira të lira për shfrytëzim, si nga studentët po ashtu edhe nga qytetarët. Në këtë lokacion do të ketë gjelbërim të lartë, të mesëm dhe të ulët. Bazuar në projektin e parkingut nëntokësor, numri i drunjve që do të mbillen/mbëltohen do të jetë më i lartë sesa ky i deritanishmi”, shtoi ajo.

Mehmetukaj tutje ka thënë se shkak i tharjes mund të ketë qenë vjetërsia e drunjve.

“Zhvendosja e drunjve është bërë në stinën e vjeshtës. Për zhvendosje janë angazhuar dy ekipe të ndara. Njëri ekip ka punuar në zhvendosjen e drunjve dhe tjetri është kujdesur gjatë dhe pas mbjelljes. Pjesa më e madhe e drunjve janë nxjerrë me të gjithë dheun humusor përreth tyre. Shkaku i tharjes mendojmë se ka qenë vjetërsia e tyre”, ka thënë tutje ajo.

Mehmetukaj ka theksuar se drunjt janë ujitur dhe trajtuar me aditiv special, madje sipas saj, projekti është shtyrë në mënyrë që zhvendosja të bëhej në vjeshtë, pasi ashtu e parashohin rregullat.

“Ekipet janë kujdesur që pas mbjelljes pjesët e zhveshura të drunjve janë trajtuar dhe janë vendosur aditivet speciale ushqyese që përdoren për raste të tilla. Gjithashtu llojet drunore janë shtanguar me litar special në mënyrë që gjatë procesit të lidhjes së rrënjëve llojet drunore mos të pësojnë deformime horizontale”, tha ajo.

“Litarët gjithashtu ofrojnë një siguri shtesë për rrezik nga erërat e forta që mund të vijnë. Koha e projektit është shtyrë në mënyrë që zhvendosja të bëhet gjatë sezonit të vjeshtës ashtu siç e parashohin rregullat. Është bërë edhe ujitja e tyre para se drunjt të futen në kohën e “tkurrjes”. Me rrethanat dhe mundësitë që i kemi pasur, jemi munduar që maksimalisht të trajtohen sa më mirë që ka qenë e mundur”, ka thënë Mehmetukaj.

Thahen drunjt e bartur nga zona afër Fakultetit Filologjik tek Biblioteka Kombëtare (FOTO)