Agim Bahtiri

Komuna e Mitrovicës: Kërcënohet me vdekje Agim Bahtiri

Komuna e Mitrovicës përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar se i pari i kësaj komunë, Agim Bahtiri, është kërcënuar.

Sipas njoftimit, Bahtiri është kërcënuar me vdekje për shkak të angazhimit të tij për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri kërcënohet me vdekje për shkak të angazhimit dhe insistimit të tij të vazhdueshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Kërcënuesit kërkojnë nga kryetari Bahtiri që të mos ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kësaj ure, edhe pse projekti i BE-së për rivitalizimin e saj ka përfunduar në tërësi”, thuhet në komunikatë e komunës së Mitrovicës.

Për rastin e kërcënimit të kryetarit Bahtiri, thuhet se është njoftuar policia e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse.

“Unë kërkoj nga qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, që të jenë të qetë e të përkushtuar për të çuar përpara proceset e stabilizimit të plotë të situatës politike e të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në qytetin e Mitrovicës”, citohet të ketë thënë Bahtiri pas këtij rasti.