Koci: Gjykata Speciale do të intervistojë një të dyshuar në hotel

Avokati kosovar Arianit Koci ka bërë të ditur se një klient i tij do të intervistohet në hotel nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale.

Koci përmes një publikimi në Facebook, thotë se këtë konfirmim e ka pranuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“E kam pranuar konfirmimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, se njëri prej klientëve të mi, do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit – në hotelin ku do të qëndroj. Me kohën që e kanë pasur, buxhetin, dhe infrastrukturën që e kanë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – marrja në pyetje e të dyshuarit në hotel, po e len përshtypjen e joseriozitetit”, ka shkruar ai.

Koci ka shtuar se beson që ky trajtim po bëhet në mënyrë të padinjitetshme.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, e që do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri më tash ka intervistuar dhjetëra ish-komandantë të UÇK-së, përderisa ftesa kanë pranuar edhe udhëheqës të lartë politik vendor.

Rasti më i fundit është ftesa për intervisitm si i dyshuar që i është bërë kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i tij.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa isH- figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.