Karaxhiqi Kërkon Internet në Burg

Ish-presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç i kërkoi Gjykatës së Hagës ta lejojë atë të përdorë internetin ndërsa është në paraburgim, që ai të mund të ndjekë karrierën e tij si shkrimtar.

Karaxhiqi tha në një seancë dëgjimore ditën e mërkurë se ai ishte shkrimtar si edhe mjek, kështu që kishte nevojë për internetin dhe një pajisje regjistrimi audio në qendrën e paraburgimit në Hagë, sepse donte të punonte me shqiptimin e saktë të gjuhës serbe.

“Nëse kaloj 12 vjet këtu, njësoj si i liruari së fundmi për krime lufte Vojisllav Shesheli, pa mundësinë për të qenë profesionalisht i gjallë, kjo do të nënkuptonte masa ndëshkuese skandaloze që nuk duhet të aplikohen në botën e qytetëruar,” tha Karaxhiqi.

Karaxhiqi, i cili akuzohet për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, aktualisht është duke pritur vendimin e tij, i cili pritet të merret në tetor të këtij viti. Ai ndodhet në burg që prej korrikut të vitit 2008, pas arrestimit të tij në Beograd.

Psikiatër nga profesioni, Karaxhiqi ka botuar disa vëllime me poezi nga vitet 1960 e në vazhdim, disa prej tyre gjatë viteve të luftës dhe të tjerë ndërsa ishte në arrati.

Karaxhiqi paralajmëroi gjithashtu gjykatën se shëndeti i tij ishte përkeqësuar. Ai u ankua për “rritje të nivelit të glukozës në gjak”, por tha se deri tani problemi nuk ishte përkeqësuar.

Ai pohoi se “sistemi i paraburgimit i OKB-së shkakton sëmundje te shumë njerëz”, duke pretenduar  “një shpërthim sëmundjesh malinje”, të cilat mund të shkaktohen nga materialet e ndërtimit të përdorura në ndërtesat e Gjykatës, dhe bëri thirrje për një hetim në lidhje me këtë.

Gjykatësi O-Gon Kwon e udhëzoi Karaxhiqin t’ia adresojë të gjitha pyetjet e tij njësisë së menaxhimit të Gjykatës së Hagës në Sheveningen, për menaxhimin e njësisë së burgimit për të trajtuar të gjitha pyetjet e tij për menaxhimin e njësisë së Tribunalit të Hagës për paraburgim në Sheveningen, duke shtuar se trupi gjykues do të merret me to nëse vërtetohet se të drejtat e tij janë shkelur.