'Sulmi në veri ka elemente ruse’

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit. Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur rreth këtij sulmi duke thënë se në vazhdimësi kanë parë elemente ruse në Kosove për çka edhe kanë paralajmëruar disa herë.

Ai ka thënë se lufta e zhvilluar nga Rusia në Ukrainë është e njëjtë me luftën e Kosovës.

“Edhe dhunimet edhe vrasjet, masakrat janë metoda tashmë të njohura. Kur ne vazhdojshim me i ndërlidh këto taktika janë elemente ruse në veri, por nuk është pranuar gjithmonë në mënyrë të drejt”, ka thënë ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai shtoi se pos që nuk është pranuar mirë, njerëzit kanë menduar që janë duke e ekzagjeruar.

“Ju kujtohet kur i kemi dërguar kryetarët e katër komunave me shumicë serbe, prezent ka qenë ajo shkronja e famshme ‘Z’, që ka qenë më shumë sesa evidente”, tha ai.

Paralajmërimi i qeverisë për rigrupimin e Millan Radoiçiqit

“Ka elemente që mund të shfrytëzohen nga Serbia që të krijoj trazira e situata ku do të fajësoheshin organet e sigurisë së vendit për raste të ndryshme ndëretnike”, tha ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës është në vazhdimësi në kontakt me kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.

Ndryshe kryeministri, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë të enjten, tha se lirimi nga autoritetet serbe i ish-nënkryetarit të Listës  Serbe dhe organizatorit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Millan Radoiçiq “është dëshmi e potencialit për hakmarrje”.

Sulmi në Banjskë, ku ishte ministri kur ndodhi ngjarja?

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Ai tha se me të marr lajmin për sulmin ka shkuar në veri të vendit ku ka takuar disa nga kryetarët për të ditur nëse ka diçka që mund të bëj ai.

“Jam njoftuar nga ministri Sveçla për rastin dhe viktimën dhe policin tjetër që u plagos, pastaj gjatë ditës jam takuar me kryetarin e Mitrovicës së veriut, diku në ora 10 jam takuar me të pastaj përmes policisë kam telefonuar edhe kryetarin e Leposaviqit për shkak se ishte në një situatë më ndryshe sesa të tjerët por sidomos edhe me kryetarin e Zveçanit”, tha ai.

Ai shtoi se kryetarët ishin të informuar për ngjarjen.

Pse ish-kryetarët serb të komunave në veri nuk guxuan të takoheshin me ministrat e Qeverisë së Kosovës?

“Kryetarët serb që ishin në komunat e veriut nuk kanë guxuar të takoheshin me ministra sepse thonin se kishin presion nga Beogradi”, deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai shtoi se ka tentuar në vazhdimësi që të takohet edhe me banorët por edhe me krerët e komunave por që një gjë e tillë, sipas tij ka qenë e pamundur.

“Sa herë kam kërkuar që të dalë në terren me kryetarët serb që ishin atëherë, dhe të kuptoj nga afër problemet e qytetarëve të asaj pjese, kjo ka qenë e pamundur. Kryetarët kanë thënë që mund të vijnë në Prishtinë mirëpo në komunë nuk mund të të presim për shkak të presionit”, tha ai.

Ai ka thënë gjithashtu që në vitin 2021 kur kanë pasur memorandume, ka planifikuar që ato t`i nënshkruaj nëpër objektet e komunave.

“Unë kam dëshiruar që projektet e memorandumet e bashkëpunimit t`i nënshkruaj nëpër komuna së bashku me kryetarët serb por ata gjithmonë kanë preferuar që të vijnë në ministri, dhe kanë treguar për presionin e hapur që e kanë prej Beogradit”, tha Ministri Krasniqi.

“Po të mos ishte Njësia Speciale e Kosovës në veri, situata e Banjskës do të ishte krejt tjetër”

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka folur edhe për prezencën e Njësisë Speciale të Kosovës në veri të vendit.

Ai ka thënë se i kupton ata që mund ta quajnë ‘presion’ prezencën e tyre në at pjesë por ka shtuar se pret mirëkuptim sepse sipas tij bëhet një vlerësim i situatës së sigurisë.

“Rasti i 24 shtatorit (sulmi në Banjskë), do të ishte krejt ndryshe po të mos ishte njësia speciale atje, sikur këto njësi do të duhet të udhëtonin nga Prishtina apo nga ndonjë pjesë tjetër për në veri të vendit, jam shumë i bindur që situata në këtë moment do të ishte ndryshe”, tha Krasniqi për “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës sillet në mënyrë demokratike dhe korrekte me të gjithë qytetarët pa dallim.

“Jam i bindur që secili formular që i jepet qytetarëve nga policia e Kosovës është në dy gjuhë pra në shqip dhe serbisht. Mund të ketë situata ku ndonjë polic të mos dijë të flas serbisht por formularët që dorëzohen nga secili institucion i Republikës së Kosovës është në dy gjuhët”, shtoi Krasniqi.

Ai ka treguar se në vizitën e tij të fundit në veri është ndalur edhe në stacione të policisë së Kosovës në atë pjesë.

“Pothuajse në secilën patrullë pos policëve shqiptarë kishte edhe polic serb”, tha ai.

Përderisa ka përmendur edhe kohën kur rreth 600 policë të komunitetit serb dhanë dorëheqje.

“Ata dhanë dorëheqje në mënyrë që të krijojnë situatë të pasigurtë në veri të vendit dhe normalisht shtetit i është dashur që t`i përgjigjet proporcionalisht kësaj situate dhe të dërgoj policë të tjerë. Çka duhet të vëmë në pah është që i kemi bërë dy thirrje për rekrutim të policëve të rinj, ekskluzivisht nga radhët e komuniteteve. Në rekrutimin e parë kemi pasur përafërsisht 100 të ri dhe të reja nga komunitetet të cilët mbi 50% nga komuniteti serb të cilët janë rekrutu për punën e tyre në stacion të veriut”, tha Krasniqi.

Sipas tij këta policë që janë rekrutuar po japin dorëheqje për shkak të presionit nga Beogradi.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar, zyrtarë të shumtë të komunitetit serbë, që ishin pjesë e Policisë së Kosovës, kanë dorëzuar mjetet e tyre të punës, duke njoftuar largimin nga Policia e Kosovës.

Dorëheqja e Listës Serbe dhe policëve nga komuniteti serb, vjen reagimi nga presidenca e Kosovës

Ndryshe ish-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” kishte thënë se ‘Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po i terrorizon qytetarët në veri të vendit.

Ish ministri serb pretendon se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po terrorizon popullin serb në veri

A është takuar ndonjëherë ministri Krasniqi me Millan Radioçiqin?

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se asnjëherë nuk është takuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Ai ka thënë se ai s’ka pasur ndonjë funksion institucional që të takohet me të.

“Jo asnjëherë s’jam takuar me Millanin sepse s’ka pas funksion institucional, është jo relevant me taku një ministër një nënkryetar të partisë”, tha ministri.

Ai ka shtuar se me ish ministrin Goran Rakiq ka pasur kontakt.

“Unë kam pas dhe vazhdoj të kem kontakte me personat që kanë dhe kanë pasur pozitë zyrtare në shtet në momentin që këta zyrtarë janë ish kryetarë ish-ministra, unë nuk kam pasur kurrfarë kontakti me ta”, tha Krasniqi.

Sipas tij ai ka pasur vetëm pengesa nga ish-nënkryetarët e komunave me shumicë serbe.

“Sulmi ndaj meje në Leposaviq ishte i organizuar nga ish kryetari Tadiq dhe ish deputeti ne kuvendin e Kosovës, Simiq”, tha Krasniqi.

Kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në veri të vendit?

Peticioni është zgjidhja e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit, sipas ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, tha se për ta rrëzuar një kryetar komune, duhet të mblidhet 20% e trupës votuese të asaj komune (banorë të komunës përkatëse) dhe ta nënshkruajn peticionin.

“Kur qytetarët mblidhen për nënshkrimin e peticionit mund ta kërkojnë edhe listën e votuesve, pasi në bazë të saj organizohen zgjedhjet. PSh nga 12 mijë votues duhet të bëhen 2 mijë e diçka votues për të iniciuar rrëzimin e kryetarit”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se më 1 shtator ka hyrë në fuçi udhëzimi administrativ i cili specifikon qartë se si qytetarët e një komune mund të fillojnë procedurat për shkarkimin e kryetarit të komunës së tyre me anë të peticionit.

“Edhe ambasadat kanë bërë propozimet e tyre të cilat janë inkorporuar në këtë udhëzim administrativ”, tha Krasniqi.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Kryetarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Lehtësim apo komplikim, Qeveria synon ta zgjidhë ‘ngërçin zgjedhor’ në veri me peticion qytetar

Ai ka folur edhe për masat e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës të cilat thotë që janë të padrejta. Ai thotë se Kosova ka pranuar që të zvogëloj numrin e policëve në veri dhe i ka hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

“Çfarë bëri Serbia ndërkohë që Kosova ishte duke i realizuar kërkesat e ndërkombëtarëve? – Organizoi 24 shtatorin dmth edhe BE-ja edhe të gjithë të tjerët duhet ta kenë parasysh qe Kosova po angazhohet për stabilizim të situatës e Serbia organizon sulm terrorist me qëllim aneksimin e veriut”, tha ministri Krasniqi.

Ndryshe përmes një komunikate për media, Lista Serbe ka thënë se do të marr pjesë në organizimin e zgjedhjeve të paralajmëruara në katër komunat me shumicë serbe.

Lista Serbe ndryshon qëndrim, kërkon zgjedhje në katër komunat në veri

Projekti i unazës së kryeqytetit, pse nuk po e mbështet Qeveria e Kosovës?

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i është përgjigjur akuzave të kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili kishte thënë se Qeveria nuk po i përkrah projektet e kryeqytetit, duke ju referuar projektit për ‘Unazën e Qytetit’.

Krasniqi në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se ky projekt është i Komunës së Prishtinës dhe se nuk mundet që qeveria ta financoi premtimin elektoral të kryetarit.

“Nuk mundet qeveria e Kosovës ta financoj një premtim elektoral të kryetarëve të komunave”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se projekti ‘Unaza e Qytetit’, kushton 300 e 50 milionë euro.

“Këtë diskutim e bëm në momentin që ishim duke pritur për marrjen e një përgjigje nëse Kosova do të ketë të drejtën e organizimit të ‘Lojërave Mesdhetare 2023’. Buxheti për organizimin e tyre është 200 e 50 milionë euro ndërsa projekti i ‘Unazës së Qytetit”, 300 e 50 milionë euro. Kurrkush nuk e ndalë, por mos le të pret kryetari që qeveria mund t`i realizoj premtimin elektoral. Secili kryetar komune kur hinë në garë për komunën e din se cili është buxheti dhe në bazë të tij i bën planifikimet”, tha Krasniqi.

Ndryshe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka akuzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe atë të Financave se po i bllokojnë punët e kryeqytetit.

Përparim Rama akuzon ministrin e Financave për bllokim të projekteve për Prishtinën