Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti në mbledhjen e qeverisë: Lirimi i Radoiçiqit është dëshmi e potencialit për hakmarrje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten në mbledhjen e qeverisë, tha se lirimi nga autoritetet serbe i ish-nënkryetarit të Listës  Serbe dhe organizatorit të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Millan Radoiçiq “është dëshmi e potencialit për hakmarrje”.

“Jemi 18 ditë pas sulmit terroristë paramilitarë të 24 shtatorit, sot shumëçka është ndryshe. Dokumentimi para syve të botës i shtetit serb, janë motiv shtesë për skenar te tjerë de stabilizues. Lirimi i Millan Radoiçiqi është dëshmi e potencialit për hakmarrje”-tha kryeministri.

Sipas tij, institucionet kanë hetuar inskenimet e sulmeve, qëllimi është fajësimi i policisë së Kosovës.

“Regjimi aktual i Serbisë asnjëherë nuk i ka përngjarë më shume sesa sot Serbisë së Millosheviqit, në botë kuptim e synime. Andaj ju bëjë thirrje juve qytetarëve serb të jeni të vetëpërmbajtur, nuk ka komunitete të padëshiruara, të gjithë jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën e dashur paqësore e pro europiane”-tha ai.

Tutje gjatë kësaj mbledhje, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo shumicë.

“Mjete të cilat destinohen për finalizimin e shtëpive, projekt që ka filluar 3 vite më parë nga ish-ministria e punës”- tha Kurti.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kanë një situatë të trashëguar ku një pjesë e madhe e shtëpive kanë mbetur te pa përfunduara.

“Ne kemi marrë parasysh që t’i mbështesim për pjesën tjetër. Andaj e shohim të nevojshëm miratimin e këtij vendimi në mënyrë që të vazhdohen punimet”-theksoi ministri.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar në parim  kërkesën për huamarrje të “Telekomit të Kosovës Sh. A.”

Në lidhje më këtë çështje, kryeministri Kurti tha se fuqizimi i ndërmarrje e publike mbetet prioritet andaj, është sjellë kërkesa në vlerë prej 15 milion euro për investime në Telekom.

Ndërkaq, kreu i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve bëri të ditur se kjo kredi do të shërbejë për pajisje në teknologjinë, dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve.

“Kërkesa ka qenë 20 milion euro, por me qenë se vitin e kaluar kemi miratuar trashin e parë prej 5 milion, tani kemi 15 milion euro, kjo kredi do të shërbej për pajisje në teknologjinë, dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve”- u shpreh Murati.