Pse kaq pak padi ndaj institucioneve shtetërore nga qytetarët e dëmtuar?

Burim Tahiri nga Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se vazhdimisht pranojnë ankesa me pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se afër 50% e ankesave janë për zvarritje të proceseve gjyqësore.

“Në ato raste kur gjykata është vonuar të vendosë për një çështje të pretenduar prej tyre, duke e pasë parasysh këtë numër kaq të madh të ankesave, ne si institucion në vitin 2018 kemi publikuar një raport ku kemi rekomanduar nxjerrjen e një ligji që do t’u mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtave civile në ato raste kur është shkelur e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor” – tha Tahiri.

Ai tutje ka thënë se në bazë të rekomandimeve të tyre, Ministria e Drejtësisë ka nisur me hartimin e këtij ligji.

“Sipas informacioneve është në fazën fillestare përpilimi i projekt-ligjit për të drejtat civile të qytetarëve të cilëve i është shkel e drejta për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Për rastet e tjera që sjell deri te vonesa ose hezitimi për të paraqitur padi për dëmshpërblim, palët udhëzohen në kontest civil dhe kjo është një arsye tjetër që palët hezitojnë” – tha ai.

Në cilat raste qytetarët mund të ushtrojnë padi ndaj institucioneve shtetërore?

“Qytetarët mund të ushtrojnë padi ndaj shtetit në të gjitha ato raste ku konstatohet që një e drejtë e tyre është shkelë prej institucioneve. E kur kemi procedurë civile, p.sh. nëse pësohet dëm apo i shkaktohet dëm një qytetari nga një subjekt tjetër, gjykata e udhëzon palën në kontest civil, mirëpo kjo kërkon një procedurë tjetër që fillon nga padia për kompensim të dëmit dhe zhvillimin e procedurës që merr një kohë relativisht të gjatë” – tha Tahiri.

www.kallxo.com