Palokaj sfidon Szunyogun: Vendet anëtare të BE-së nuk kanë votuar për masat ndaj Kosovës

Gazetari nga Brukseli i Grupit “Koha”, Augustin Palokaj ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Europian, nuk kanë votuar për masat e vendosura ndaj Kosovës muaj më parë. Palokaj këtë deklaratë e tha në emisionin Kallxo Përnime.

Ai tha se e sfidon ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog i cili javë më parë, në Kallxo Përnime kishte thënë se ishte arritur konsensus me 27 shtetet anëtare të BE-së për masat ndaj Kosovës, dhe i pyetur nëse shtetet kishin ngritur dorën për këtë vendim, ai e pohoi.

Kurse, korrepodenti Palokaj në Kallxo Përnime të dielën tha se kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë, ja unë po e sfidoj dhe po them se nuk është e vërtetë ajo që ka thënë ambasadori Sozyung. Shtetet anëtare asnjëherë nuk kanë votuar (për masat ndaj Kosovës), sepse atëherë do të ishin sanksione. Pikërisht për të mos votuar shtetet anëtare, janë dizajnuar masat për të cilat ka kompetenca Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm që t’i vendosin, pra nuk janë sanksione të vendosura nga Këshilli”.

Sipas Palokajt, atë që kanë bërë vendet anëtare të BE-së, “është një deklarim politik për të ndërmarrë masa në rast se nuk përmbushen kërkesat dhe është vlerësuar se Kosova nuk i ka përmbushur kërkesat.”

“Dhe a i ka përmbushur apo jo kërkesat Kosova, raporton Borrell dhe Lajcak, dhe jo vendet anëtare”- tha ai.

Sipas Palokajt, një shumicë e madhe e vendeve anëtare insistojnë që të ketë masa ndaj Serbisë, “dhe së paku disa insistojnë që të mos ketë masa ndaj Kosovës.”

Ai ka deklaruar se nëse Komisioni dhe Këshilli Evropian do të donin që tani do t’i shpallnin masat ndaj Serbisë, të ngjashme me ato të Kosovës.

“Por kjo është vetëm një lojë e tyre”, ka thënë Palokaj.

BE vendos disa masa ndaj Kosovës: Kemi njoftuar edhe Qeverinë