Palokaj nga Brukseli: Na kanë thënë ku i keni tash vëllezërit amerikanë, edhe Shqipëria është kundër jush

“Vendosja e masave nga SHBA, mbështetur nga Shqipëria, i ka inkurajuar ata në BE që janë shumë të interesuar për masa ndaj Kosovës të jenë jashtëzakonisht të inkurajuar. Na kanë thënë disa herë ku i keni vëllezërit amerikan e shihni që edhe Shqipëria është kundër jush”- ka thënë gazetari, Augustin Palokaj në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij në strukturat e Bashkimit Evropian është një atmosferë jo miqësore, sidomos në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm dhe në Komisionin Evropian.

“Meqë nuk është votuar nga shtetet anëtare për masat ndaj Kosovës rrjedhimisht nuk ka nevojë të votohet edhe për heqjen e tyre, po ashtu kjo vlen edhe për Serbinë”- thotë Palokaj.

Ai thotë se arsyeja që SHBA-ja nuk po i heq masat ndaj Kosovës është se është irrituar me Kosovën me mënyrën se si i ka dërguar katër kryetarët në komunat me shumicë serbe.

“Ka një irritim bilateral në mes të SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës. Ajo që kam dëgjuar në bazë të burimeve diplomatike, është se SHBA-të kanë qenë të befasuara sepse Kosova nuk i ka dëgjuar për një gjë konkrete që ka të bëj edhe me mënyrën se si Qeveria kosovare kishte vendosur t’i dërgojë në katër komunat me shumicë serbe kryetarët e zgjedhur, duket se kjo i ka kaluar disa vija”, thotë Palokaj.

“Banjska ka ndërruar lojën por nuk mund të lexohet assesi që Kosova të heq dorë nga obligimet që i ka marr më herët në dialog sidomos kanë qenë të irrituar kur kanë dëgjuar gjëra që Asociacioni ka vdekur, dialogu s’mund të vazhdoj sikur përpara, sepse SHBA do të shpëtojë atë që është arritur deri më tani në dialog”, thotë tutje ai