Nimoni: në Kuvend nuk u kuptua dallimi mes martesave mes personave me gjini të njëjtë dhe bashkësisë civile

Shefi i kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Genc Nimoni, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se asnjë vend i rajonit nuk e ka të rregulluar me Kodin Civil martesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Nimoni tha se Ministria e Drejtësisë ka marrë në konsideratë komentet dhe praktika të tjera dhe është vendosur që ky version i Kodit Civil të dërgohet në Qeveri.

“Ajo çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë është që ka marrë në konsideratë të gjitha komentet dhe në fund kemi këqyrë praktika të tjera se si janë të rregulluara dhe në fund është rekomanduar kjo. Ka shkuar prej Ministrisë së Drejtësisë për bashkësitë civile sepse nëse shikojmë vendet e rajonit asnjë nuk e ka me Kodin Civil të rregulluar martesën mes personave të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Nimoni.

Ai shtoi se dy vende të rajonit këtë çështje e kanë të rregulluar me ligje të veçanta.

“Dy vende e kanë të rregulluar me ligje të veçanta madje e kanë të rregulluar si bashkësi civile të regjistruar është Mali i Zi së fundi vitin e kaluar dhe Kroacia”, shtoi ai.

Tutje ai tha se në Kuvend nuk u kuptua dallimi mes martesave mes personave me gjini të njëjtë dhe bashkësisë civile.

“Ajo që u potencua atë ditë në Kuvend ishte se nuk u kuptua dallimi mes martesave mes personave me gjini të njëjtë dhe bashkësisë civile. Ne nuk jemi ata që ndërhyjmë ose ndalojmë të drejtat dikujt dhe jemi munduar që këto të drejta të garantohen fillimisht me Kodin Civil pastaj ligji është diçka tjetër që rregullon procedura të veçantë”, ka thënë ai.

Nimoni ka shtuar se Ministria e Drejtësisë ka pranuar vendimin për mosmiratim të Kodit Civil dhe kjo do të adresohet tutje.

“Ne para dy dite kemi pranuar vendimin e Kuvendit për mosmiratim të Kodit dhe tash hapet rruga që ne ta adresojmë tutje. Do ta adresojmë me prioritet këtë çështje. Nevojitet punë, nuk do të ketë zmbrapsje”, tha ai.

Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

16 deputetë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.