Leposhtica komenton aktakuzën për falje të hidrocentraleve – Vonesat çuan në parashkrim të lëndës

Zyrtari ligjor në KALLXO.com, Labinot Leposhtica, ka thënë se vonesat që janë bërë në rastin e njohur të “Hidrocentraleve”, ku u akuzuan 5 ish ministra të qeverisë Thaçi 2, kanë quar në parashkrim të aktakuzës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u transmetua hulumtimi i BIRN-it për monitorimin e 10 lëndëve që konsiderohen si më të mëdhatë të korrupsionit, ka shtuar se vetëm 1 muaj e gjysmë para se të arrihej parashkrimi absolut i kësaj rasti, të akuzuarit janë liruar.

“Ky rast evidenton vonesa të skajshme, fillimisht në hetimin e këtij rasti, që nga 16 të akuzuar, që në fazën fillestare, gjykata e ka refuzuar akuzën për shkak se e ka konsideruar që është arritur parashkrimi relativ. Ndërsa për pjesën tjetër të të akuzuarve që kryesisht ishin ish ministra që akuzoheshin që i kanë falur 4 hidrocentrale, në fund të procesit kemi aktgjykim lirues, që konsideroj se është marr vetëm për faktin që të evitohej parashkrimi absolut i këtij rasti” – ka thënë Leposhtica.

Të dhënat e BIRN nga monitorimi kanë treguar që edhe një dosje tjetër u mbyll pa fajtor prej të akuzuarve me arsyetimin se prokuroria nuk pati prova.

Besim Beqaj si kryesues i Komitetit qeveritar për privatizim e distribucionit,  Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të komisionit shpëtuan nga aktakuza për shkak se gjykata konstatoj se lënda ndaj tyre ishte pa prova.

Në dosjen e madhe të korrupsionit shpëtuan edhe disa persona të tjerë ndërsa 4 hidrocentralet të cilat kaluan në pronësi të KEDS-it kurr nuk ju kthyen Kosovës.

Me 8 maj 2023 gjykata e Apelit konstatoj pafajsinë e të akuzuarve ndërsa prokuroria speciale sërisht nuk dha ndonjë shpjegim pse një aktakuzë e tillë dështon në gjykatë.

Ndryshe, në prill të vitit 2020, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave të “Qeverisë Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusari, Dardan Gashi, Nenad Rashqi, ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka dhe ndaj disa personave të tjerë.

Aktakuza është ngritur për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shitje të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Rasti “Hidrocentralet”, gjyqi ndaj ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2 drejt parashkrimit absolut