Hedhja e pakove humanitare përmes parashutave për Gazën nga aeroplanët amerikanë, Foto: CBS News

Ushtria amerikane hedh ndihma në Gazë prej ajrit

Tre aeroplanë amerikanë për mallra kanë hedhur ushqim prej ajrit të shtunën në Rripin e Gazës, ka thënë një zyrtar amerikan, teksa rriten shqetësimet për krizë humanitare në këtë rajon, pas disa muajsh luftime.

“Kemi realizuar ndihmë të kombinuar humanitare përmes ajrit në Gazë”, duke angazhuar tre aeroplanë C-130, për të dërguar “ndihmë te civilët e prekur nga konflikti”, ka thënë një zyrtar i Komandës Qendrore amerikane në disa komente për agjencinë e lajmeve AFP në kushte anonimiteti.

Aeroplanët kanë hedhur “66 pako të mëdha me vakte ushqimore pa mish derri” të shtunën, ka thënë ky zyrtar.

Disa media kanë bërë bërë të ditur se bëhet fjalë për mijëra shujta.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara do të nisin të dërgojnë ndihmë prej ajrit në Gazë, pas vdekjes të më shumë se 100 palestinezëve të enjten në një turmë, sa kanë qenë duke pritur për ndihma.

Disa burime brenda ushtrisë izraelite e kanë pranuar se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të turmës, pasi e kanë konsideruar “me rrezik”.

Zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby ka thënë të premten se SHBA-ja planifikon të dërgojë shujta që do të zgjasin me javë.

Ai e ka përshkruar operacionin si të vështirë, pasi kërkon planifikim të kujdesshëm të Pentagonit për të garantuar sigurinë e civilëve të Gazës si dhe personelit të ushtrisë amerikane.

Më herët gjatë ditës, dy burime prej Egjiptit kanë thënë se të dielën në Kajro do të rinisin bisedimet për arritje të armëpusimit në Gazë.

Ende nuk është bërë ndonjë koment prej Izraelit apo grupit militant Hamas, që kanë negociuar në të kaluarën përmes ndërmjetësuesve, përfshirë Egjiptin dhe Katarin.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Presioni ndërkombëtar është rritur, pasi mbi 30.000 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, prej nisjes së ofensivës izraelite në Gazë.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë që një çerek i popullsisë është një hap larg urisë.

I zotuar për ta shkatërruar Hamasin, Izraeli e ka nisur ofensivën në Gazë, pas sulmeve të Hamasit në tokën e tij, më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë./REL