Gaza, 12 tetor 2023, Foto: REFL/REL

'Kush do të më thërrasë baba?' - Lotët e burrit nga Gaza që humbi mbi 100 të afërm

Kur një sulm shkatërroi shtëpinë e tyre familjare në qytetin e Gazës, duke marrë jetën e 103 të afërmve, Ahmedi e gjeti veten të bllokuar 80 kilometra larg, në qytetin e pushtuar të Jerikos në Bregun Perëndimor.

Ahmedi kishte qenë duke punuar në një kantier ndërtimi në Tel Aviv kur Hamasi nisi një sulm ndaj Izraelit më 07.10.2023, duke ia pamundësuar atij të ribashkohej me gruan dhe tri vajzat e tij të vogla për shkak të konfliktit që pasoi dhe bllokadës ushtarake të Izraelit, raporton media britanike BBC. 

Komunikimi me ta bëhej një ritual i përditshëm, sa herë që lejonin lidhjet e çrregullta telefonike. Në mbrëmjen e 8 dhjetorit, Ahmedi po bisedonte me gruan e tij, Shireen, kur ndodhi sulmi.

“Ajo kishte një parandjenjë për fatin e saj,” thotë ai. “Kërkoi falje për çdo gabim që mund ta kishte bërë ndaj meje. E sigurova atë se fjalë të tilla ishin të panevojshme. Kjo ishte biseda jonë e fundit mes nesh.”

Më vonë atë mbrëmje, një bombë shkatërruese goditi rezidencën e xhaxhait të tij, duke i marrë jetën gruas dhe tri vajzave të vogla – Tala, Lana dhe Najla. 

Tragjedia u zgjerua më tej, duke vrarë nënën e Ahmedit, katër vëllezërit, së bashku me familjet e tyre dhe hallat, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e shumtë. 

Numri i të vdekurve ka kaluar mbi 100 persona. Edhe tani, më shumë se dy muaj më vonë, disa prej mbetjeve të tyre kanë mbetur nën rrënoja.

Së fundmi Ahmedi është në dijeni se po afron ditëlindja e dytë e vajzës së tij më të vogël, Najlës. Pesha e mungesës së saj ende qëndron mbi të dhe ai përpiqet të pajtohet me humbjen e thellë që ka duruar.

Në pamundësi për ta dhënë lamtumirën e duhur ose për të marrë pjesë në ritualet solemne të varrimit të tyre, Ahmadi kapet pas kujtimeve të fëmijëve të tij, duke folur për ta sikur të ishin ende të pranishëm, shprehja e tij që e tradhton pikëllimin e thellë brenda.

“Vajzat e mia mbeten zogjtë e mi të vegjël”, thotë ai. “Më duket sikur jam bllokuar brenda një ëndrre surreale. Realiteti i tragjedisë sonë ende nuk është zhytur plotësisht.”

Për ta përballuar dhimbjen e thellë, ai ka larguar fotografitë e vajzave të tij nga pajisjet elektronike, për t’i shmangur ndjesitë e papritura që në momente të rëndësishme mund t’i aktivizojnë emocionet e tij të brishta. 

Ahmedi mbështetet te versionet e pjesshme të ofruara nga disa të afërm dhe fqinjë të paktë që mbijetuan për ta rindërtuar kronologjinë e ngjarjeve që çuan në tragjedinë e tij. Ata e përshkruajnë ngjarjen në atë mënyrë që një raketë shkatërroi pa mëshirë hyrjen e shtëpisë së familjes së tij, duke shkaktuar serinë e shkatërrimeve tjera pastaj.

Sipas Hamid al-Ghuferi, një nga të paktët që mbijetoi, ata që ikën me shpejtësi kur sulmet ajrore filluan, arritën të shpëtonin, ndërsa ata që kërkonin strehim brenda shtëpisë përjetuan një fat tragjik. Ai e përshkroi sulmin si një breshëri e pashpirtë, me sulme që godisnin shtëpitë fqinje çdo dhjetë minuta.

“Afërsisht 110 anëtarë të familjes Ghuferi ishin të pranishëm – fëmijët tanë, të afërmit tanë,” thotë Hamidi. “Të gjithë, me përjashtim të disave, përjetuan vdekjen e tyre të parakohshme.”

Të mbijetuarit rrëfejnë se mes viktimave, më e moshuara ishte gjyshja 98-vjeçare, ndërsa më e reja ishte një djalë i vogël vetëm nëntë ditësh.

Një tjetër i afërm i Ahmedit, e përshkruan përvojën tmerrësisht të dy shpërthimeve të mëdha që rezultuan nga një bombardim ajror.

Hamidi shpreh shqetësimin se mungesa e paralajmërimit për sulmin e aeroplanit rezultoi në shkatërrim të mëtejshëm, duke treguar se disa njerëz mund të kishin humbur jetën nëse nuk do të ishin larguar nga ajo zonë me kohë. 

Ai e përshkruan zonën e goditur nga shpërthimi si një vendbanim që tashmë duket i panjohur, duke shtuar se shpërthimi e rrafshoi një pjesë të tërë të shtëpisë dhe infrastrukturës aty përreth. 

Për t’i nxjerrë trupat nga rrënojat, të mbijetuarit punuan me ngulm deri në orët e mëngjesit, ndërkohë që u përballën me rrezikun e aeroplanëve dhe dronëve që vazhdimisht e sulmonin atë zonë. 

Për disa anëtarë të familjes, përvoja ishte e tmerrshme, siç tregon Umm Ahmad al-Ghuferi, që sipas përshkrimit thotë se u gjet vetë nën rrënoja dhe u hodh nga njëra anë në tjetrën. 

Edhe dy muaj e gjysmë pas sulmit, përpjekjet për t’i gjetur dhe varrosur disa prej trupave ende vazhdojnë. 

Për ta financuar procesin e nxjerrjes së viktimave nga rrënojat, familja ka mbledhur para për ta angazhuar një ekskavator të vogël për t’i pastruar mbeturinat dhe rrënojat.

Duke folur për BBC-në, Ahmedi, tregon se së fundmi i kanë nxjerrë katër trupa prej rrënojave, duke përfshirë gruan e vëllait dhe nipin e tij, Mohammed, i cili u gjet në atë lokacion. 

Trupat kishin qëndruar nën rrënoja për 75 ditë. Varret e tyre të përkohshme ndodhen në një fushë të zbrazët, e markuar me shkopinj dhe fletë plastike. 

Edhe pse Ahmedi qëndron në Jeriko, ai ende nuk i ka vizituar ato. Me shumë habi Ahmedi pyet veten se çfarë bëri që e ndanë atë përjetësisht nga familja e tij, duke e përmendur faktin se të gjithë ata  ishin civilë.

Për pretendimet se familja e tij ishte shënjestër e sulmeve ajrore, ata kërkuan përgjigje nga ushtria izraelite. Në përgjigje, ushtria e ka mohuar dijeninë për sulmin duke thënë se kanë marrë marrë masa për ta zbutur dëmin ndaj civilëve në konfliktin e tyre me Hamasin.

Pas 75 ditëve të pritjes nën rrënoja, Ahmedi ia ka dalë ta varrosë një pjesë të familjes së tij, përfshirë gruan e vëllait dhe nipin e tij, në një varrezë të përkohshme në një cope toke të zbrazët. 

Megjithatë, ai ende ndihet i dërrmuar nga pyetjet për të cilat nuk ka marrë përgjigjie për shkakun e sulmeve ajrore që shkaktuan katastrofën e tij, ndërsa zona ku dikur ndodhej shtëpia e tij është tani objektiv i operacioneve të reja të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit. 

Në Jeriko, Ahmedi shpesh i thërret të afërmit e tij në Gaza, por pasi ka qenë i detyruar të mbetet jashtë shtëpisë së tij dhe në dëshprim të madh për t’u kthyer atje, ai ka filluar të dyshojë nëse ndonjëherë do të jetë në gjendje të kthehet në shtëpinë e tij të dashur. 

Ai shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e ëndrrave dhe të dashurve të tij, duke u përballë me sfida të mundimshme për të ardhmen e tij si dhe për mungesën e dashurisë dhe mbështetjes së dikujt që tani janë zhdukur përjetë nga jeta e tij.

“Ëndrra ime u shkatërrua në Gaza”, thotë ai. “Për kë të kthehem? Kush do të më thërrasë baba? Kush do të më thërrasë i dashur? Gruaja më thoshte se unë isha e gjithë jeta e saj. Kush do të ma thotë një gjë të tillë tash e tutje?”/BBC