Gashi: Kosova është dashur të kushtëzojë Asociacionin me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është dashur që të zotohet për themelim të Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) pa e kushtëzuar me një proces demokratik të zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Gashi ka shtuar se po ta bënte këtë Qeveria e Kosovës, presioni ndërkombëtar mbi Qeverinë serbe e mbi komunitetin serb do të ishte që të mbajnë zgjedhje demokratike fillimisht.

“Në momentin që është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, Qeveria e Kosovës është dashur të ketë edhe legjitimitetin e institucioneve lokale, përfaqësuesve të serbëve. Presioni ndërkombëtar do të ishte që t’i mbajmë zgjedhjet demokratike e pastaj të fillojmë me formimin e Asociacionit” – tha ai.

Sami Kurteshi, që është anëtar i KQZ-së, ka thënë se Asociacioni është diçka tjëtër kurse zgjedhjet diçka tjetër.

“Asociacioni është çështje tjetër që ka hyrë në bisedime dhe ky është problemi kryesor, synimet e një qeverie të Beogradit me grupet e veta kriminale, dojnë me shantazhu shtetin në forma të ndryshme” – tha Kurteshi.

KQZ-ja ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe për zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq.

Për zgjedhjet e së dielës do jenë 31 organizata vëzhguese me 357 vëzhgues.

Këto zgjedhje janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetarë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur kryetarët e këtyre komunave që qeveriseshin nga Lista Serbe braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve, që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen ilegale.

Këto zgjedhje u caktuan më 18 dhjetor 2022, mirëpo mbajtja e tyre ishte pamundësuar për shkak të përshkallëzimit të situatës më 10 dhjetor 2022, datë në të cilën u arrestua ish-polici Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut.