Gashi: Edhe në mure të Kishës ka pasur kuti me municione, kishte plan për luftime

Gazetari Kreshnik Gashi ka deklaruar se grupi i personave të armatosur që sulmuan policinë e më pas hynë në manastirin e Banjskës kishin qenë të pajisur me armatim për të zhvilluar luftime.

Sipas tij, tërheqja e tyre mund të ketë ndodhur pasi humbën përkrahjen dhe nuk e kanë pritur që do kishte pamje droni.

“Nga informacionet prej zonës atje janë konfiskuar rreth 20 makina, furgon të stërmbushur me mjete luftarake. Pra, makina që shumica janë pa tabela dhe nuk dihet të kujt janë. Nga persona që janë kryer bastisjet atje më është thënë se ka edhe makina që kanë qenë të regjistruara në Serbi, nga zona Panqevës. Bëhet fjalë për 20 zolla, minahedhës, pako me municion, mitraloz, numër të pallogaritur të kallashnikovëve”- ka thënë Gashi.

Gashi theksoi se edhe në mure të Kishës ka pasur kuti me municione duke thwnw se ka pasur plan për luftime.

Sipas tij, fakti që grupi e ka lënë një pjesë të armatimit do të thotë se nuk janë me resurse të vogla dhe të papërgatitur.

Gashi tregon edhe arsyet që mund të kenë ndikuar në tërheqjen e këtij grupi.

“Ajo që ka ndodhur gjatë ditës unë supozoj se është se nuk e prisnin se do kenë humbje të përkrahjes, se do ketë pamje droni dhe do ngjajnë si sulmet në Krime”- tha ai.

Gashi më tej shtoi se përballja e policisë me këtë grup është e vështirë, për shkak të armatimit që kanë në dispozicion.

“Policia ka sfida në veriun e vendit pasi institucionet tona kanë limite në resurse dhe armatime që mund ti përdorin në atë zonë, prandaj edhe një pjesë e madhe e personave janë arratisur prej aty. Ata kanë përdorur një pjesë malore afër manasitrit duke zhvilluar një sulm drejt policisë për t’u arratisur nëpër mal. Ndjekja nëpër mal e grupeve të tilla është problem pa pajsije”- shtoi Gashi.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.