Drejtori i Policisë flet për bojkotin e FIT-it ndaj Darkës së Lamës që u shtrua nga presidentja

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur në lidhje me Darkën e Lamës, e cila është shtruar nga presidentja e Kosovës, e cila u bojkotua nga njësia speciale intervenuese e njohur si FIT.

Ata refuzuan të marrin pjesë në këtë darkë për shkak të pakënaqësive.

Hoxha ka thënë se ka qenë në një vizitë jashtë vendit në atë kohë dhe se janë duke i adresuar të gjitha pakënaqësitë.

Ai tha se të gjitha kërkesat janë përcjellë te Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët sipas Hoxhës janë duke u shikuar me një ekip të ekspertëve për të adresuar çështjen e shtesave të rrezikshmërisë.

“E kemi pasë një pakënaqësi këtu tek Darka e Lamës të cilën ne jemi duke e adresu, unë do të komunikojë edhe pse e dini që kam qenë në vizitë jashtë vendit, të gjitha kërkesat e policisë ne si menaxhment të njësiteteve tona i kemi përcjellë tek ministria e Punëve të Brendshme, ato ministri është duke i shiku me një ekip të ekspertëve që është kriju nga Qeveria për të adresuar çështjen e shtesave të rrezikshmërisë apo shtesave tjera që iu takojnë” – ka deklaruar Hoxha.

Drejtori i PK-së ka folur edhe për propozimin e Qeverisë së Kosovës për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me ç’rast Hoxha tha se kanë dërguar një draft se çfarë mendojnë se do ishte zgjidhja më e mirë.

“Kërkesat janë që në këto shtesa të rrezikshmërisë të janë të përfshirë të gjithë policët varësisht nga rreziku që kanë dhe niveli i detyrave që i kryejnë, ne kemi kërku dhe kemi dërgu një draft se çfarë          mendojmë që është zgjidhja më e mirë për të gjithë. Do punojmë që të gjithë policët të marrin hakun e merituar të marrin shpërblim për punën që e kryejnë dhe do punojmë me Qeverinë”- tha ai.

Më tej, Hoxha ka theksuar se aktualisht prioritet është siguria e vendit dhe se çështjet e nevojave të Policisë do t’i adresojnë me kohë tek qeveria, që policët të janë të kënaqur.

“Aktualisht, prioritet mbi prioritete është siguria e vendit tonë, është moment historik për Kosovën. Dihet që edhe takimi i djeshëm në Bruksel ishte historik edhe e ardhmja është moment historik, mendoj që policia e din se çfarë po kalojmë, e dinë se cilat janë përgjegjësitë tona dhe do ta kalojmë çdo problem të mundshëm për interesin tonë që është Kosova dhe siguria e saj dhe pastaj edhe çështjet e nevojave tona do t’i adresojmë me kohë tek qeveria që policët të janë të kënaqur” – deklaroi Hoxha në KallxoPërnime.