Bali Muharremaj tregon për investimet që bëri për të parandaluar vërshimet në Suharekë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur në lidhje me vërshimet që kishin ndodhur në vitin 2018 në qytetin që drejton ai.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Muharremaj rikujton 16 gushtin e 2018-tës kur rruga “Avdyl Rama” ishte shndërruar në një “lumë” si pasojë e reshjeve atmosferike.

“Kur e kam bo buxhetin për vitin 2018, vlera për kanalin e Dybiqakut, ka qenë vlera diku 40 mijë euro. Nuk e harroj asnjëherë më 16 gusht u detyrova me shku sikur sot që po e shohim në Skenderaj, kur jam kthy në qytet ku rruga “Avdyl Rama” ishte shndërru në një lumë, mirëpo në atë kohë na kanë ndihmu zjarrfikësit. Kemi bërë evakuimin e njerëzve sepse për mua është e rëndësishme jeta e tyre, deri në orët e hershme”- rrëfen Muharremaj.

Ai thotë se tash e tri vite, komuna e Suharekës nuk e ka më këtë problem sepse janë bërë investime në ndërtimin i kolektorëve për shkarkimin e ujërave nga shiu.

“Që tre vite nuk e kemi më këtë problem. Para dy viteve sheshi i Suharekës çdo herë ka qenë i vërshuar edhe aty e kemi bërë një kolektor që është diku katër metra kubë uji. Ne e kemi pasë projekt-ndërtimin, te sheshi e kemi paraparë kolektorin 2 me 2, kemi bërë të njëjtën punë edhe në pjesën e maleve, aty e kemi bo projektin dhe e kemi edhe një në OSHP që besoj që përfundohet shpejt”- shprehet i pari i Suharekës.

Muharremaj ka treguar se sa para ka investuar për t’u mbrojtur nga vërshimet.

“Pjesa e parë është bërë 527 mijë euro ndërsa pjesa e dytë diku 500 mijë euro. Pjesa tjetër që duhet këtë vit me fillu me u zbatu është 1 kilometër, fillon nga unaza te hyrja prej autostradës në Suharekë, derdhja bëhet në lumë, sasia do të jetë e njëjtë”- thekson ai.

Muharrmaj thotë se dëmet e analizuara në vitin 2018 kanë qenë në vlerë diku mbi 6.5 milionë euro.

“Ne nuk mundemi me u shty me fuqinë e natyrës sepse ndodh çkado që ndodh, por besoj që në Suharekë ku vërshime kemi pasur edhe në vitin 1994 kur ka pasur edhe humbje jete të njerëzve. Dëmet që i kemi analizuar më 2018 kanë qenë diku mbi 6.5 milionë euro pa llogaritë bizneset”- thotë Muharremaj.

“Atë vit kemi kompensuar diku 1.1 milion euro, kemi marrë vendim në Asamble Komunale. Qeveria në atë kohë na ka dhënë 1.1 milion euro edhe ato duke u shty me ta. Qytetarët në atë kohë janë nda të kënaqur, por duhet të kuptojmë se vërshimet që kanë ndodhë në Suharekë dhe Skenderaj, bodrumet e shtëpive nuk kthehen kurrë në gjendjen e mëparshme”- shton ai.

Më tej, kryetari i Suharekës tha se në pranverë do të investojë në tri rrugë të Suharekës, ku do të ndërtohet një kolektor tjetër.

“Kur fillon me ra shi ne e shikojmë se nga po vjen uji, dhe në mënyrë praktike e shohim, jo vetëm hartat dhe me përdorë ekspertë që kanë bërë projektin. Në pranverë më pas investojmë, këtë vit kemi me investu në tri rrugë të Suharekës, ku ka me u ndërtu një kolektor tjetër diku 1 kilometër“- ka thënë Muharremaj.

Në gusht të vitit 2018, Suhareka ishte përballur me vërshime dhe nga reshjet qenë përmbytur shtëpi banimi në 50 për qind të fshatrave në këtë komunë.

Si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut nga uji u patën vërshuar shumë shtëpi e biznese në qytet dhe fshatra.

Në anën tjetër, më 19 janar 2023, Skenderaj ka qenë në mesin e komunave që është prekur rëndë nga reshjet e shiut që shkaktuan vërshime.