Foto: Bali Muharremaj, Facebook

Zjarri në Duhël, reagon Bali Muharremaj: Kemi pak zjarrfikës e shumë nevoja

Në orët e pasdites një autoservis është përfshirë nga zjarri në fshatin Duhël të Suharekës.

Në lidhje me këtë incident ka reaguar kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, i cili ka thënë se kanë pak zjarrfikës dhe shumë nevoja.

Muharremaj tha se rasti i sotëm në fshatin Duhël ishte me shumë rrezik, por që sipas tij pati vetëm dëme materiale.

“Kemi pak zjarrfikës e shumë nevoja. Të gjitha institucioneve përkatëse lutje në emër të qytetarëve, ta keni parasysh. Rasti i sotëm në Duhël ishte me shumë rrezik, por shpëtuam duke pasur vetëm dëme materiale”- ka shkruar Muharremaj në Facebook.

KALLXO.com pak më parë ka raportuar në lidhje me këtë rast.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se si pasojë e zjarrit janë djegur disa vetura.

“Policia nga një qytetar , rreth orës 14:45 është njoftuar se një zjarri i madh është ndezë në Duhël të Suharekës, në këtë rast zjarri ka përfshirë një autoservis ku janë djegur disa vetura dhe demi material është i madh”- tha Byqyqi për KALLXO.com.

Bytyqi ka njoftuar se Policia dhe zjarrfikësit janë munduar ta shuajnë zjarrin dhe ta largojnë nga një pikë karburanti që ndodhet afër. Zjarrëfikësve të Suharekës iu kanë dalë në ndihmë edhe ata nga Mamusha e Prizreni.

Zëdhënësi i Policisë ka thënë se deri më tani nuk ka të lënduar vetëm dëme të medha materiale. Por, Bytyqi tregoi se dy qytetarë dhe një zjarrfikës kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të tymit.

Përfshihet nga zjarri një autoservis në Duhël të Suharekës