Foto: Antoneta Badivuku

Antoneta Budakova, katër herë kampionia e Kosovës në karate

“Pa vetë-disiplinë suksesi është i pamundur”, është një prej thënieve që e frymëzojnë Antoneta Budakovën, katër herë kampionen e Kosovës në karate.

20-vjeçarja nga Lipjani, është stolisur me 117 medalje në gara vendore e ndërkombëtare. Përveç që është kampione e Kosovës për katër vjet me radhë, në vitin 2018 ajo është shpallur karatistja juniore më e suksesshme në Kosovë, karateistja seniore më e suksesshme në Kosovë dhe U21 në vitin 2021 dhe kampione mbarëkombëtare në vitin 2021.

Foto: Antoneta Budakova

Antoneta, e cila ndjek studimet në vitin e dytë në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës, me sportin e karatesë merret që nga viti 2016, kur ishte 15-vjeçare.

“Karateja më pëlqen sepse si sport promovon vetë-disiplinën, ndërton forcën, fleksibilitetin e shumë shkathtësi të tjera. Mbi të gjitha është sport që në personalitet rrënjosë vlerat e nderit, punës së vazhdueshme dhe respektit”, ka thënë karateistja Antoneta Budakova.

Foto: Antoneta Budakova

Ajo është anëtare e Klubit të Karatesë “Prishtina”, ku stërvitet me kryetrajnerin Ismail Fazliu dhe trajnerin Visar Hoxha.

“Të cilët me plot kuptimin e fjalës kanë çdo meritë për sukseset e mia, janë këta që hap pas hapi kanë ndërtuar sportisten që jam sot”, ka thënë Antoneta.

Autorja Florentina Lekaj, nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.