Mbledhja e sotme e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Kajtazi: Kosova mbetet dosja e madhe e krimit të pandëshkuar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Lirije Kajtazi nga LDK-ja tha se Kosova po mbetet dosja më e madhe e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor.

“ Kosova vazhdon të mbetet dosja e madhe e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të lëngojë nga plaga e hapur e rrëmbimit të njerëzve të saj dhe fshehjes së vendndodhjes së tyre nga aparati shtetëror i Serbisë”, tha Kajtazi.

Ajo tha se të gjitha faktet flasin qartë për shkaktarin e krimit që është Republika e Serbisë dhe sipas saj kjo është e vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare.

“ Ne po kërkojmë tash e disa vite që në Serbi të mbizotërojë minimumi i humanes, shteti serb të tregojë se ku ndodhen njerëzit tanë që i mori nga shtëpitë e tyre dhe t’i kthejë ata”, deklaroi Kajtazi.

Deputetja Kajtazi vuri gishtin e fajit edhe mbi bashkësinë ndërkombëtare për mosgjetjen e 1652 personave të pagjetur në Kosovë.

“ Viktimë dhe e pashtruar është edhe bashkësia ndërkombëtare sepse në tryezë të bisedimeve ulet me një shtet i cili në këtë rast shkel me dy këmbë konventat e ratifikuara nga vetë shteti i tyre mbi luftën dhe të drejtat e civilëve në konfliktet e armatosurave”, tha Kajtazi.