Konferenca për rolin e KUvendit në dialogun e Brukselit | Foto: KALLXO.com

Isufi: Kuvendi ta Vëzhgojë Dialogun e Brukselit

Ahmet Isufi, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha sot në konferencën për rolin e Kuvendit në dialogun e Brukselit se legjislativi duhet ta vëzhgojë atë që ndodh në këtë dialog.

“Kuvendi duhet të jetë ai qe duhet në vazhdimësi të vëzhgojë këtë, po ashtu edhe përfaqësuesit që marrin pjesë t’i raportojnë Kuvendit të Kosovës”, tha Isufi.

Ai më tutje konstatoi se Serbia po i zbaton vetëm marrëveshjetrr që po i konvenojnë.

“Kemi parë që dialogu ka devijur dhe të gjitha ato marrëveshje që i kanë konvenuar shtetit serb i kanë pranuar, kurse ato që kanë qenë në të mirë të Kosovës nuk i ka pranuar dhe ka ndikuar që marrëveshjet e nënshkruara të mos i zbatojnë”, tha Isufi.

Isufi më tutje përmendi rezolutën e Kuvendit që obligon raportimin e pjesëmarrësve të dialogut të Brukselit.

“Ju e dini që ka pasur rezolutë që për çdo marrëveshje të raportohet në Kuvend gjë që nuk ka ndodhur. Ne jemi për një platformë tjetër, pra një raportim i domosdoshëm”, tha Isufi.

Isufi tregoi se nuk është diskutuar ideja e Presidentit Thaçi për grupin e unitetit.

Sa i përket grupit të unitetit ne nuk e kemi diskutuar ende, por neve na lejohet që të kemi qëndrimin tonë”, tha Isufi.

Konferenca për rolin e Kuvendit në dialog po organizohet nga Instituti Demokratik i Kosovës, ndërsa në të po marrin pjesë shefat e grupeve parlamentare të subjekteve politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe medieve.