Isa Mustafa në Trieste | Foto: ZKM

Isa Mustafa për zhvillimet në veri: Sinjal i qartë kah po shkon vendi

Kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar për protestat dhe dorëheqjet e sotme në veri të Kosovës.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka thënë se shteti nuk duhet të drejtohet me folklorizëm, por udhëheqësit duhet të jenë të kujdesshëm për veprimet e tyre sepse pasojat po i bartë tërësia territoriale.

Po ashtu Mustafa ka kërkua mbledhje të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Veprimet e sotme të serbëve në veri të vendit, dorëheqjet e kryetarëve te katër komunave dhe Rezoluta për të ndërprerë komunikimin me “Prishtinën”, siç shprehen ata, janë sinjal i qartë se kah po shkon vendi. Qeveritarët tanë nuk janë për të bërë figura me duar por për tu kujdesur për funksionimin kushtetues të vendit, sa nuk është bërë vonë. Shteti nuk mbahet dhe nuk drejtohet me folklorizëm, duhet të jemi të kujdesshëm për veprimet dhe vendimet tona dhe pasojat e tyre për tërësinë territoriale të vendit. Në këtë situatë, konsideroj se duhet të mblidhet Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Mustafa.