Pas hulumtimit të KALLXO.com, ATK nisë procedurat kundër ndihmësdrejtorëshes në Gjilan

Publikimi i hulumtimit që nxori në pah një sërë parregullsish në biznesin e familjarëve të ndihmësdrejtoreshës së ATK-së në Gjilan, ka nxitur reagim të menjëhershëm nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Ky institucion, menjëherë pas publikimit të artikullit në KALLXO.com, e ka dërguar rastin për trajtim të mëtejmë në Divizionin e Standardeve Profesionale.

“Rasti në fjalë është proceduar për trajtim të mëtejshme në Divizionin e Standardeve Profesionale në ATK”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Divizioni i Standardeve Profesionale është një mekanizëm i këtij institucioni i cili e ka për detyrë t’i hetojë punëtorët e ATK-së mbi shkeljet e mundshme ligjore.

Gjatë kësaj jave KALLXO.com raportoj se në biznesin e familjes së ndihmës drejtoreshës së ATK-së, Adrijana Latifi janë konstatuar një serë parregullsish tatimore.

Gjatë kontrollit aty u konstatua se arka fiskale është jashtë funksionit, nuk lëshoheshin kuponë fiskal, nuk po mbaheshin librat tatimor sipas rregullave dhe parregullsi të tjera.

Për konstatimin e këtyre parregullsive, u desh të angazhohej një ekip I inspektorëve larg rajonit të Gjilanit dhe të udhëtonin plotë 56 kilometra nga Prishtina në fshatin Uglar, për të kryer një vizitë të thjeshtë tatimore.

Vizitës së inspektorëve nga Prishtina në Uglar, i parapriu një raportim i qytetarëve në platformën KALLXO.com, i cili pretendonte se biznesi i familjes Latifi nuk po lëshonte kuponë fiskal.

Pas marrjes së këtij informacioni, hulumtuesit e KALLXO.com, vizituan fshatin Uglar dhe siguruan fakte se në biznesin e familjarëve të ndihmësdrejtoreshës së ATK-së, ishin duke punuar 3 persona dhe se biznesi nuk po lëshonte kuponë fiskal por në vend të tyre, klientëve po u ofronte fatura fiktive.

Pas sigurimit të provave për parregullsi tatimore, KALLXO.com ju drejtua drejtorisë së përgjithshme të ATK-së, me informacionet për shkelje të rregullave tatimore nga biznesi i të afërmve të zyrtares së ATK-së.

Pas pranimit të informacioneve, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve, Nijazi Asllani kërkoi nga inspektoret e rajonit të Prishtinës, që të vizitojnë menjëherë biznesin e familjes së zyrtares së ATK-së.

Dy inspektorë tatimor të rajonit të Prishtinës, nën monitorimin e hulumtuesve të KALLXO.com, kryen vizitën tatimore më ç ‘rast konstatuan një mori parregullsish dhe shkeljesh tatimore.

Së paku tre klientë gjatë kontrollit u furnizuan me derivate, dhe asnjërit prej tyre nuk ju ofrua ndonjë kuponë fiskal.

Gjatë kohës sa biznesi po kontrollohej nga inspektoret e ATK-së, në telefonin e pronarit të biznesit telefonoi, ndihmës drejtoresha Adriana Latifi.

E pyetur për arsyet e telefonimit gjatë kohës sa biznesi i familjarëve të saj po kontrollohej, ndihmësdrejtoresha tha se ishte rastësi.

“Unë e kam telefonu kunatin, po jam kanë me shokun tim për drekë, ai më tha më ka mbet telefoni pa bateri dhe e murr temin, tha a po ma jep ta thirri kunatin ta kqyri ku o, se jo për besë unë nuk përzihna, rastësisht shoku tha a po ma jep ta thirri”, tha Latifi.

Pasi u pyet se pse biznesi i familjes së saj po i shmangej detyrimeve tatimore dhe nuk po lëshonte kuponë, ndihmësdrejtoresha e mbylli telefonin.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Administrata Tatimore e Kosovës në lidhje me numrin e punëtoreve të regjistruar në biznesin e familjes Latifi dhe pagesat që ky biznes i kishte kryer në ATK ndër vite.

Sipas ATK-së, biznesi në fjalë ka vetëm një punëtor të regjistruar dhe nuk ka paguar TVSH në gjashtë vitet e fundit.

“Kontrolli i fundit ndaj këtij biznesi, është kryer në vitin 2014. Numri i deklaruar i punëtorëve është 1 (një) punëtor. Për gjashtë vitet e fundit biznesi në fjalë, nuk ka realizuar pagesa në TVSH”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Për të gjitha parregullsitë e konstatuara, është hartuar një raport i veçantë nga zyrtarët e ATK-së i cili pritet të dërgohet në zyrën për gjoba dhe ndëshkime e njohur ndryshe si ZGJONA.

Ndonëse në telefon nuk u përgjigj, Adrijana Latifi pas publikimit të lajmit në KALLXO.com, reagoj duke e cilësuar si shpifje.

“Pretendimet për ta cilësuar si biznes familjar një biznes që nuk është i familjes sime dhe për ta ndërlidhur këtë çështje me veprimtarinë time si Ndihmës Drejtoreshë rajonale në Gjilan janë shpifje”, deklaroj Latifi në reagim.

Tutje në reagimin e saj, Latifi deklaroj me kohë i kishte lajmëruar organet kompetente për lidhjen e saj me biznesin.

“Për këtë çështje, me kohë, i kam lajmëruar të gjitha organet kompetente të cilat mbikëqyrin Konfliktin e Interesit, në mënyrë që të jem e qetë dhe te mos bie në kundërshtim me ligjin.  Si dëshmi janë faktet dhe provat  e paraqitura pranë institucioneve adekuate.  Pra, e përsëris se personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë biznes, as private e as zyrtar dhe me befason fakti sesi dikush mundohet të me njollos me një përgjegjësi pa kurrfarë  baze, me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë imazhin personal dhe ta pengojë avancimin profesional”, thuhet në reagim.

Hulumtimet e BIRN rezultuan me shqiptimin e masave disiplinore kundër katër zyrtarëve të ATK-së.

Përpos tyre BIRN ka publikuar dy hulumtime të cilat kanë shfaqur dyshimet për fshehje të bizneseve nga zyrtarë të lartë të ATK-së.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të ndihmësdrejtoreshes Adrijana Latifi ndaj artikullit të publikuar në KALLXO.com.

“Të dhënat dhe pretendimet e publikuara në këtë artikull janë të pasakta dhe të paqëndrueshme. Pretendimet për ta cilësuar si biznes familjar një biznes që nuk është i familjes sime dhe për ta ndërlidhur këtë çështje me veprimtarinë time si Ndihmës Drejtoreshë rajonale në Gjilan janë shpifje. Kjo për faktin se biznesi  i takon kunatit tim, Skënder Latifi i cili nuk jeton në bashkësi familjare, por në familje të veçantë dhe për biznesin e tij nuk mbaj kurrfarë përgjegjësie. Për më tepër, mbikëqyrja e afarizmit të biznesit të apostrofuar nuk bie në përgjegjësinë e Drejtorisë Rajonale të Gjilanit, por është caktuar Zyra tjetër Regjionale dhe unë nuk kam qenë fare në rrjedha për asnjë veprim lidhur me këtë afarizëm. Për këtë çështje, me kohë, i kam lajmëruar të gjitha organet kompetente të cilat mbikëqyrin Konfliktin e Interesit, në mënyrë që të jem e qetë dhe te mos bie në kundërshtim me ligjin. Si dëshmi janë faktet dhe provat  e paraqitura pranë institucioneve adekuate. Pra, e përsëris se personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë biznes, as private e as zyrtare dhe me befason fakti sesi dikush mundohet të me njollos me një përgjegjësi pa kurrfarë  baze, me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë imazhin personal dhe ta pengojë avancimin profesional. Marr parasysh këto fakte, shpreh indinjatë lidhur me artikullin e publikuar në Kallxo.com  i cili nuk ka të bëjë me realitetin dhe paraqet informata të pavërteta”, thuhet në reagimin e plotë të Adrijana Latifit.