Pas hulumtimit të KALLXO.com, dërgohet në Anti–Korrupsion ndihmësdrejtorësha e ATK-së në Gjilan

Administrata Tatimore e Kosovës e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion zyrtaren e lartë të këtij institucioni në rajonin e Gjilanit.

Dërgimi në Anti-Korrupsion ndodhi pas publikimit të hulumtimit në KALLXO.com i cili javë më parë nxori në pah një sërë parregullsish në biznesin e familjarëve të ndihmësdrejtoreshës së ATK-së në Gjilan, Adriana Latifi.

“Bazuar ne informatat qe kemi pranuar nga ana e juaj, DSP ka dërguar rastin me datë 24.09.2021 për trajtim në Agjencinë Kundër Korrupsion”, thuhet në përgjigjen e Divizionit të Standardeve Profesionale në ATK, dhënë për KALLXO.com.

Divizioni i Standardeve Profesionale është një mekanizëm i këtij institucioni i cili e ka për detyrë t’i hetojë punëtorët e ATK-së mbi shkeljet e mundshme ligjore.

Rasti shkoi në AKK pasi pak kohë më parë KALLXO.com zbuloi se biznesi i familjarëve të ndihmësdrejtreshës së ATK-së, po i shmangej detyrimeve tatimore.

Gjatë kontrollit, aty u konstatua se arka fiskale është jashtë funksionit, nuk lëshoheshin kuponë fiskal, nuk po mbaheshin librat tatimor, sipas rregullave si dhe parregullsi të tjera.

Për konstatimin e këtyre parregullsive, u desh të angazhohej një ekip i inspektorëve larg rajonit të Gjilanit dhe të udhëtonin 56 kilometra nga Prishtina në fshatin Uglar, për të kryer një vizitë të thjeshtë tatimore.

Vizitës së inspektorëve nga Prishtina në Uglar, i parapriu një raportim i qytetarëve në platformën KALLXO.com, i cili pretendonte se biznesi i familjes Latifi nuk po lëshonte kuponë fiskal.

Pas marrjes së këtij informacioni, hulumtuesit e KALLXO.com, vizituan fshatin Uglar dhe siguruan fakte se në biznesin e familjarëve të ndihmësdrejtoreshës së ATK-së, ishin duke punuar 3 persona dhe se biznesi nuk po lëshonte kuponë fiskal por në vend të tyre, klientëve po u ofronte fatura fiktive.

Pas sigurimit të provave për parregullsi tatimore, KALLXO.com ju drejtua drejtorisë së përgjithshme të ATK-së, me informacionet për shkelje të rregullave tatimore nga biznesi i të afërmve të zyrtares së ATK-së.

Me pranimin e këtyre informacione zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve, Nijazi Asllani kërkoi nga inspektoret e rajonit të Prishtinës, që të vizitojnë menjëherë biznesin e familjes së zyrtares së ATK-së.

Dy inspektorë tatimor të rajonit të Prishtinës, nën monitorimin e hulumtuesve të KALLXO.com, kryen vizitën tatimore më ç‘rast konstatuan një mori parregullsish dhe shkeljesh tatimore.

Së paku tre klientë gjatë kontrollit u furnizuan me derivate, dhe asnjërit prej tyre nuk ju ofrua kuponë fiskal.

Gjatë kohës sa biznesi po kontrollohej nga inspektorët e ATK-së, në telefonin e pronarit të biznesit telefonoi, ndihmës drejtoresha Adriana Latifi.

E pyetur për arsyet e telefonimit gjatë kohës sa biznesi i familjarëve të saj po kontrollohej, ndihmësdrejtoresha tha se ishte rastësi.

“Unë e kam telefonu kunatin, po jam kanë me shokun tim për drekë, ai më tha më ka mbet telefoni pa bateri dhe e murr temin, tha a po ma jep ta thirri kunatin ta kqyri ku o, se jo për besë unë nuk përzihna, rastësisht shoku tha a po ma jep ta thirri”, tha Latifi.

Pasi u pyet se pse biznesi i familjes së saj po i shmangej detyrimeve tatimore dhe nuk po lëshonte kuponë, ndihmësdrejtoresha e mbylli telefonin.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Administrata Tatimore e Kosovës në lidhje me numrin e punëtoreve të regjistruar në biznesin e familjes Latifi dhe pagesat që ky biznes i kishte kryer në ATK ndër vite.

Sipas ATK-së, biznesi në fjalë ka vetëm një punëtor të regjistruar dhe nuk ka paguar TVSH në gjashtë vitet e fundit.

“Kontrolli i fundit ndaj këtij biznesi, është kryer në vitin 2014. Numri i deklaruar i punëtorëve është 1 (një) punëtor. Për gjashtë vitet e fundit biznesi në fjalë, nuk ka realizuar pagesa në TVSH”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Për të gjitha parregullsitë e konstatuara, është hartuar një raport i veçantë nga zyrtarët e ATK-së i cili pritet të dërgohet në zyrën për gjoba dhe ndëshkime e njohur ndryshe si ZGJONA.

Ndonëse në telefon nuk u përgjigj, Adrijana Latifi pas publikimit të lajmit në KALLXO.com, reagoi duke e cilësuar si shpifje.

“Pretendimet për ta cilësuar si biznes familjar një biznes që nuk është i familjes sime dhe për ta ndërlidhur këtë çështje me veprimtarinë time si Ndihmës Drejtoreshë rajonale në Gjilan janë shpifje”, deklaroi Latifi në reagim.

Tutje në reagimin e saj, Latifi tha me kohë i kishte lajmëruar organet kompetente për lidhjen e saj me biznesin.

“Për këtë çështje, me kohë, i kam lajmëruar të gjitha organet kompetente të cilat mbikëqyrin Konfliktin e Interesit, në mënyrë që të jem e qetë dhe të mos bie në kundërshtim me ligjin. Si dëshmi janë faktet dhe provat e paraqitura pranë institucioneve adekuate. Pra, e përsëris se personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë biznes, as private e as zyrtar dhe më befason fakti sesi dikush mundohet të më njollos me një përgjegjësi pa kurrfarë baze, me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë imazhin personal dhe ta pengojë avancimin profesional”, thuhet në reagim.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë e të paredaktuar të ndihmësdrejtoreshes Adrijana Latifi ndaj artikullit të publikuar në KALLXO.com.

“Të dhënat dhe pretendimet e publikuara në këtë artikull janë të pasakta dhe të paqëndrueshme. Pretendimet për ta cilësuar si biznes familjar një biznes që nuk është i familjes sime dhe për ta ndërlidhur këtë çështje me veprimtarinë time si Ndihmës Drejtoreshë rajonale në Gjilan janë shpifje. Kjo për faktin se biznesi  i takon kunatit tim, Skënder Latifi i cili nuk jeton në bashkësi familjare, por në familje të veçantë dhe për biznesin e tij nuk mbaj kurrfarë përgjegjësie. Për më tepër, mbikëqyrja e afarizmit të biznesit të apostrofuar nuk bie në përgjegjësinë e Drejtorisë Rajonale të Gjilanit, por është caktuar Zyra tjetër Regjionale dhe unë nuk kam qenë fare në rrjedha për asnjë veprim lidhur me këtë afarizëm. Për këtë çështje, me kohë, i kam lajmëruar të gjitha organet kompetente të cilat mbikëqyrin Konfliktin e Interesit, në mënyrë që të jem e qetë dhe të mos bie në kundërshtim me ligjin. Si dëshmi janë faktet dhe provat  e paraqitura pranë institucioneve adekuate. Pra, e përsëris se personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë biznes, as private e as zyrtare dhe me befason fakti sesi dikush mundohet të me njollos me një përgjegjësi pa kurrfarë baze, me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë imazhin personal dhe ta pengojë avancimin profesional. Marr parasysh këto fakte, shpreh indinjatë lidhur me artikullin e publikuar në Kallxo.com i cili nuk ka të bëjë me realitetin dhe paraqet informata të pavërteta”, thuhet në reagimin e plotë të Adrijana Latifit.

Skandal – Biznesi i familjes së ndihmësdrejtoreshës së ATK-së në Gjilan, nuk lëshon kuponë fiskal