Skandal - Biznesi i familjes së ndihmësdrejtoreshës së ATK-së në Gjilan, nuk lëshon kuponë fiskal

Është një ndër zyrtaret kryesore për zbatimin e legjislacionit tatimor në rajonin e Gjilanit, por Adrijana Latifi për vite më radhë “toleroi” shkeljet tatimore të biznesit të familjarëve të saj.

Arkë fiskale jashtë funksioni, moslëshim i kuponëve fiskal, mosmbajtja e librave tatimorë dhe punëtorë të pa deklaruar, janë vetëm disa nga parregullsitë të cilat u hasën së fundmi në biznesin e familjes së ndihmësdrejtoreshës së ATK-së.

Për konstatimin e këtyre parregullsive, u desh të angazhohej një ekip I inspektorëve larg rajonit të Gjilanit dhe të udhëtonin plotë 56 kilometra nga Prishtina në fshatin Uglar, për të kryer një vizitë të thjeshtë tatimore.

Vizitës së inspektorëve nga Prishtina në Uglar, i parapriu një raportim i qytetarëve në platformën KALLXO.com, i cili pretendonte se biznesi i familjes Latifi nuk po lëshonte kuponë fiskal.

Pas marrjes së këtij informacioni, hulumtuesit e KALLXO.com, vizituan fshatin Uglar dhe siguruan fakte se në biznesin e familjarëve të ndihmësdrejtoreshës së ATK-së, ishin duke punuar 3 persona dhe se biznesi nuk po lëshonte kuponë fiskal por në vend të tyre, klientëve po u ofronte fatura fiktive.

Foto: Fatura fiktive

Pas sigurimit të provave për parregullsi tatimore, KALLXO.com ju drejtua drejtorisë së përgjithshme të ATK-së, me informacionet për shkelje të rregullave tatimore nga biznesi i të afërmve të zyrtares së ATK-së.

Pas pranimit të informacioneve, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operacioneve, Nijazi Asllani kërkoi nga inspektoret e rajonit të Prishtinës, që të vizitojnë menjëherë biznesin e familjes së zyrtares së ATK-së.

Dy inspektorë tatimor të rajonit të Prishtinës, nën monitorimin e hulumtuesve të KALLXO.com, kryen vizitën tatimore më ç’rast konstatuan një mori parregullsish dhe shkeljesh tatimore.

Së paku tre klientë gjatë kontrollit u furnizuan me derivate, dhe asnjërit prej tyre nuk ju ofrua ndonjë kuponë fiskal.

Gjatë kohës sa biznesi po kontrollohej nga inspektoret e ATK-së, në telefonin e pronarit të biznesit telefonoi, ndihmës drejtoresha Adriana Latifi.

E pyetur për arsyet e telefonimit gjatë kohës sa biznesi i familjarëve të saj po kontrollohej, ndihmësdrejtoresha tha se ishte rastësi.

“Unë e kam telefonu kunatin, po jam kanë me shokun tim për drekë, ai më tha më ka mbet telefoni pa bateri dhe e murr temin, tha a po ma jep ta thirri kunatin ta kqyri ku o, se jo për besë unë nuk përzina, rastësisht shoku tha a po ma jep ta thirri”, tha Latifi.

Pasi u pyet se pse biznesi i familjes së saj po i shmangej detyrimeve tatimore dhe nuk po lëshonte kuponë, ndihmësdrejtoresha e mbylli telefonin.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Administrata Tatimore e Kosovës në lidhje me numrin e punëtoreve të regjistruar në biznesin e familjes Latifi dhe pagesat që ky biznes i kishte kryer në ATK ndër vite.

Sipas ATK-së, biznesi në fjalë ka vetëm një punëtor të regjistruar dhe nuk ka paguar TVSH në gjashtë vitet e fundit.

“Kontrolli i fundit ndaj këtij biznesi, është kryer në vitin 2014. Numri i deklaruar i punëtorëve është 1 (një) punëtor. Për gjashtë vitet e fundit biznesi në fjalë, nuk ka realizuar pagesa në TVSH”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Për të gjitha parregullsitë e konstatuara, është hartuar një raport i veçantë nga zyrtarët e ATK-së i cili pritet të dërgohet në zyrën për gjoba dhe ndëshkime e njohur ndryshe si ZGJONA.

Ndonëse në telefon nuk u përgjigj, Adrijana Latifi pas publikimit të lajmit në KALLXO.com, reagoj duke e cilësuar si shpifje.

“Pretendimet për ta cilësuar si biznes familjar një biznes që nuk është i familjes sime dhe për ta ndërlidhur këtë çështje me veprimtarinë time si Ndihmës Drejtoreshë rajonale në Gjilan janë shpifje”, deklaroj Latifi në reagim.

Tutje në reagimin e saj, Latifi deklaroj me kohë i kishte lajmëruar organet kompetente për lidhjen e saj me biznesin.

“Për këtë çështje, me kohë, i kam lajmëruar të gjitha organet kompetente të cilat mbikëqyrin Konfliktin e Interesit, në mënyrë që të jem e qetë dhe te mos bie në kundërshtim me ligjin.  Si dëshmi janë faktet dhe provat  e paraqitura pranë institucioneve adekuate.  Pra, e përsëris se personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë biznes, as private e as zyrtar dhe me befason fakti sesi dikush mundohet të me njollos me një përgjegjësi pa kurrfarë  baze, me qëllimin e vetëm që ta dëmtojë imazhin personal dhe ta pengojë avancimin profesional”, thuhet në reagim.

KALLXO.com edhe në të kaluarën ka publikuar hulumtime të cilat shfaqnin dyshimet për parregullsi dhe shkelje ligjore të zyrtarëve të lartë të ATK-së.

Hulumtimet e KALLXO.com rezultuan me shqiptimin e masave disiplinore kundër katër zyrtarëve të ATK-së.

Përpos tyre KALLXO.com ka publikuar dy hulumtime të cilat kanë shfaqur dyshimet për fshehje të bizneseve nga zyrtarë të lartë të ATK-së.

Zëvendësdrejtori i ATK-së fsheh lidhjet me biznese