Haradinaj uron Maqedoninë për emrin e ri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, përmes të cilit vendi fqinj merr emrin e ri – Republika e Maqedonisë Veriore.

Haradinaj ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës e ka quajtur hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj.

“Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, ka shkruar Harardinaj në profilin e tij në Facebook.

Me votimin e sontëm në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar ndryshimi i Kushtetutës dhe nga tani vendi fqinj ka emër të ri – Republika e Maqedonisë  Veriore.

Marrëveshja e Prespës është ratifikuar me 81 vota për.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë janë uruar edhe nga kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

https://kallxo.com/veseli-pershendet-ratifikimin-e-marreveshjes-se-prespes-ne-parlamentin-e-maqedonise/

www.kallxo.com