Haradinaj takohet me Bedri Hamzën, flasin për gjendjen tatimore në vend

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj me mëngjes ka mbajtur takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Ashtu siç bënë të ditur vetë Haradinaj, në këtë takim kanë biseduar rreth të dhënave të fundit për gjendjen ne politikën tatimore të vendit.

“Ky është viti i ekonomisë dhe në frymën e kësaj, jemi duke punuar që të shohim një pasqyrë të saktë se ku qëndron Kosova në fushën e politikës fiskale, çka kemi ndërmarrë si Qeveri për të përmbushur infrastrukturën ligjore, lehtësirat fiskale që kemi ndërmarrë, duke i liruar nga tatimi shumë linja prodhuese si dhe çka mund të bëjmë më shumë, në të mirë të rritjes ekonomike, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies tonë”, ka shkruar i pari i ekzekutivit në rrjetin social ‘Facebook’, të premten.

Më tutje, Haradinaj ka thënë së Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

“Në vizitat në terren çdo ditë po vërejmë rritje të prodhimit dhe eksportit dhe është në interes primar të vendit që t’i evidentojmë dhe shfrytëzojmë të gjitha resurset tona, për t’i avancuar këto parametra ekonomik”, ka shtuar ai.