FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Haki Abazi, Ramush Haradinajt: Termocentrali ‘Kosova e Re’ është kanceri i qytetarëve

Analisti politik, Haki Abazi, i ka numëruar dëmet që i shkakton Kosovës ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, duke iu kundërpërgjigjur kështu kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë tha se për këtë projekt do ta kritikonte vet Abazi.

Sipas Abazit, ky termocentral ka ndikim negativ në të gjitha aspektet e mundshme, mjedisor, ekonomik dhe në shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Termocentrali me linjit është shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet e mundshme: Financiarisht e ngarkon Kosovën më një investim të dëmshëm dhe shumë të keq dhe një kontratë që ka me tha xhepin e qytetarit. Aspekti mjedisor: ka më vazhdu me qene kanceri i mushkërive të qytetarëve dhe ndotësi i ujërave dhe tokës. Shëndeti publik është edhe ashtu shume i përkeqësuar e për 20 vite as sigurim shëndetësor nuk keni mbrri me kriju”, ka shkruar ai.

Abazi ndër të tjerash ka shtuar se Haradinaj duhet ta ketë parasysh rekomandimet e ekspertëve për këto çështje.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë për media të mërkurën, tha se Termocentrali ‘Kosova e Re” do të ndërtohet dhe se sipas tij për këtë “do ta shante” analisti Haki Abazi.

“E kam pa që ai [Haki Abazi] i prin fushatës kundër. E kam mik por nuk pajtohem me të. Projekti që është paraqitur sot në Qeverinë e vendit, është projekt i “Contour Global’, investimi në termocentralin e ri 1 miliard e 300 milionë. Kur e kemi nënshkruar para një viti, nuk ka qenë e arritur e imja por një punë e qeverisë, e ekspertëve, por ka rastisur që në kohën teme të nënshkruhet”, tha kryeministri, duke shtuar se projekti do të ndodhë.

“Ky projekt e ka pa dritën, ky është lajmi, ky projekt po ndodhë dhe janë siguruar financat e vetë investitorit. Në shkurt përzgjidhet projekti financiar dhe teknik, në mars fillohen punët e terrenit, pas një viti për pak muaj fillon edhe ndërtimi”,  njoftoi Haradinaj.

Kryeministri shtoi se me këtë projekt, ekonomia vendore mund të rritet në 7%.

Postimi i plotë i Haki Abazit në Facebook:

Për kryeministrin Haradinaj:

Nëse pas 15 vite tentim Banka Botërore është dorëzu dhe nuk e ka financu termocentralin e qymyrit dhe nëse mendon që Valdrin Luka, Petrit Selimi e Berat Buzhala dijnë më mirë se e gjithë Banka Botërore, kalkulimet dhe studimet i ke të dobëta e dëmin e ke të madhe.

Termocentrali me linjit është shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet e mundshme:

Financiarisht e ngarkon Kosovën më një investim të dëmshëm dhe shumë të keq dhe një kontratë që ka me tha xhepin e qytetarit.

Aspekti mjedisor: ka më vazhdu me qene kanceri i mushkërive të  qytetarëve dhe ndotësi i ujërave dhe tokës. Shëndeti publik është edhe ashtu shume i përkeqësuar e për 20 vite as sigurim shëndëtsor nuk keni mbrri me kriju.

Çmimi i rrymës ka me qenë më shtrenjte se çmimi që sot vije edhe nga importi, në çmimin e prodhimit ka me fut edhe çmimi investimit edhe kostoja e operatorit shpërndarës. Krejt në faturë të qytetarit+ zhvendosja dhe eksproprimi korruptiv me fonde nga buxheti.

Toka e Kosovës është shumë më e vlefshme dhe e vogël me bë gropa të zeza e deponi të pluhurit.

Një gjë duhet me mbajt mend që nëse injorohet pozicioni ekspertëve atëherë barten pasojat e arrogantëve. Me arrogancë të njëjtë e keni bankrotu postën dhe telekomin edhe me arrogancë e padije keni me bankrotu edhe energjetikën edhe financat e vendit me pasoja shumë afatgjate.

Haki Abazi | Foto: Atdhe Mulla