Një mjek - Foto: REL/Shutterstock

Gripi Sezonal në Kosovë Ka Rënë Nën Pragun Epidemik

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konstatuar se rënia e rasteve të gripit sezonal është nën pragun epidemik.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar rënie të rasteve të gripit sezonal nën pragun epidemik.

Sipas një njoftimi nga ky institut, nga 1 tetori deri më 16 mars të këtij viti, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithësej 54.917 raste të dyshimta në grip, 4955 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 102 raste SARI ( Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).

“Gjatë javës së dhjetë të vitit  2018 janë raportuar 2458 raste të dyshimta në grip, 230 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 10 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute)” thuhet ne njoftimin e Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike.

Epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet dhe është përgjysmuar në intensitet duke shënuar rënie të vazhdur.

Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidomos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Instituti ka rekomanduar që të gjithë personat që ndjehen të sëmurë të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Europë dhe botë.