Si do të mund të dukej fundi i pandemisë Covid-19?

Ka shumë pak gjasa që Shtetet e Bashkuara, e lëre më bota, të jenë në gjendje ta eliminojnë plotësisht Coronavirusin që e shkakton pandeminë Covid-19.

Mirëpo, do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më pandemi dhe kur rastet nuk do të jenë më jashtë kontrollit dhe spitalet nuk do të jenë në rrezik të madh të tejmbushjes me pacientë. Shumë ekspertë parashikojnë se përhapja e Coronavirusit do të duket më shumë si një grip sezonal.

Megjithatë, ajo që është më pak e qartë është se si dhe kur do të ndodhë kjo.

“Nuk ka as një matje për të thënë se diçka është një epidemi ose pandemi. E gjithë kjo është në syrin e vrojtuesit – dhe kjo është pjesë e çështjes”, thotë për CNN Dr. Arnold Monto, profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Miçiganit si dhe ushtrues detyre i kryetarit të Komitetit Këshillues të Vaksinave dhe Produkteve Biologjike të Përafërta të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, CDC.

“Pra, e gjithë kjo nuk bazohet në rregulla. Zakonisht bazohet në atë që duhet të bëni për ta kontrolluar epideminë”, shton Monto.

“Ajo që është kaq e ndryshme këtu është se vaksinat tona janë shumë më efektive sesa ato që shohim zakonisht”.

Lajmi i mirë, sipas Montos, është fuqia e vaksinave. Lajmi i keq vjen me fuqinë e virusit për të ndryshuar dhe evoluar.

Askush nuk mund të parashikojë se si mund të duket e ardhmja e Covid-19 – dhe shfaqja e varianteve të koronavirusit, të tilla si Delta, ka ndryshuar trajektoren, tha ai.

“Me ndryshimin në modelet e transmetimit, siç janë shfaqur variantet – unë e quaj një paradë variantesh – ne tani shohim transmetim shumë më të gjerë dhe përhapje shumë më uniforme globalisht. Kjo e bën më të vështirë shpalljen e përfundimit të pandemisë.” tha Monto. “Sepse i gjithë modeli i përhapjes ka ndryshuar dhe mund të ketë ende hapësira që me të vërtetë nuk kanë kaluar nëpër llojin e valëve që ka kaluar pjesa tjetër e botës.”

Duhet pritur ende

Monto dhe udhëheqës të tjerë të shëndetit publik parashikojnë që në të ardhmen, bota mund ta gjurmojë përhapjen e SARS-CoV-2, Coronavirusi që shkakton Covid-19, në mënyra të ngjashme me mënyrën se si monitorohet gripi sezonal.

“Ne nuk e kemi idenë nëse do ta shohim atë lloj modeli sezonal me SARS-CoV-2, por na kujton se shumica e viruseve tona të frymëmarrjes fillojnë të sillen si ngjarje sezonale,” tha Monto.

“Ekziston precedenti për një model shumë sezonal për disa nga Coronaviruset që kanë infektuar njerëzit,” shtoi ai. “Nëse SARS-CoV-2 fillon të sillet kështu, ne nuk e dimë, por të paktën na jep një skenar që mund të fillojë të sillet kështu.”

Siç tha Monto, ne duhet të “presim dhe të shohim tutje” për të parë se si mund të duket një fazë endemike e Coronavirusit.

Endemike do të thotë që një sëmundje ka një prani të vazhdueshme në një popullatë – por nuk po prek një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish siç shihet zakonisht në një pandemi. Edhe në fillim të vitit 2020, ndërsa pandemia po rritej, zyrtarët në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, OBSH, parashikuan se Coronavirusi i ri “mund të bëhet një tjetër virus endemik në komunitetet tona” dhe të mos zhduket asnjëherë.

“Kur mendoni për pandemitë, ju jeni në fazën e pandemisë dhe më pas keni një fazë ngadalësimi, atëherë keni një fazë kontrolli, pastaj shpresojmë se do të keni eliminim dhe ndoshta çrrënjosje,” Dr. Anthony Fauci, drejtor i National Instituti i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, i tha Komisionit të Senatit të SHBA për Shëndetin, Arsimin, Punën dhe Pensionet në një seancë dëgjimore të enjten.

“Ajo që shpresojmë ta arrijmë është një nivel kaq i ulët sa që edhe pse nuk është eliminuar plotësisht, nuk ka një ndikim të madh në shëndetin publik ose në mënyrën se si ne e udhëheqim jetën tonë,” tha Fauci. “Pra, nëse vaksinohen më shumë njerëz globalisht dhe më shumë njerëz vaksinohen tani, shpresojmë se brenda një periudhe të arsyeshme kohore do të arrijmë në atë pikë ku herë pas here Coronavirusi mund të jetë në nivele të larta dhe të ulta  por nuk do të na dominojë ashtu siç është duke bërë tani.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore rinovoi përcaktimin e tij se një emergjencë e shëndetit publik ekziston ende në Shtetet e Bashkuara për shkak të Covid-19, zyrtarët federalë të shëndetësisë tashmë po mendojnë se si ta masin fundin e pandemisë dhe si të vazhdojnë me gjurmimin e Coronavirusit sapo të bëhet endemik.

Mbetet shumë punë ende

Për të kaluar nga pandemia në endemike, duhet krijuar imunitet ndaj Coronavirusit – që do të thotë se shumë njerëz duhet të vaksinohen, tha për CNN Dr. Philip Landrigan, pediatër dhe epidemiolog në Kolegjin e Bostonit.

Me disa amerikanë që ende refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19 dhe disa që refuzojnë të mbajnë maska, tranzicioni mund të marrë më shumë kohë.

Aktualisht, rreth 58% e popullsisë totale të SHBA-së është plotësisht e vaksinuar kundër Covid-19.

“Ne duhet të arrijmë diku mirë deri në 80%, apo ndoshta deri në90% të popullsisë me imunitet ose duke pasur një infeksion ose duke pasur vaksinime,” tha Landrigan, i cili ka punuar në CDC për 15 vjet.

Për të kontrolluar përhapjen e virusit të fruthit në popullatën amerikane, për shembull, “na duhej të ngrinim shkallën e imunitetit mbi 95%, dhe madje edhe atëherë, ne kemi pasur shpërthime sporadike. Këto shpërthime zakonisht ndodhin kur keni një grup të njerëz në një vend të caktuar që nuk janë të imunizuar dhe befas futet virusi sepse një udhëtar ka ardhur me virusin – dhe sa hap e mbyll sytë, keni 20 raste të fruthit në një qytet,” tha Landrigan.

Për momentin, CDC thotë se ka shumë punë për të bërë për ta kontrolluar përhapjen aktuale të virusit.

“Ne e dimë se ka ende shumë për të bërë për të ndaluar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i dhënë fund pandemisë. Ne ende po shohim shumë raste të reja, hospitalizime dhe vdekje. Mesatarja ditore e rasteve është mbi 70,000 në ditë me më shumë se 1000 vdekje. Kjo është arsyeja pse ne po inkurajojmë të gjithë  nga 5 vjeç e lart që të vaksinohen për t’i mbrojtur ata kundër COVID-19,” shkroi zëdhënësja e CDC Kristen Nordlund në një email për CNN javën e kaluar.

“Ndërkohë që presim me padurim vjeshtën dhe dimrin, është e rëndësishme të vazhdojmë të praktikojmë masat parandaluese që ne e dimë se funksionojnë – vaksinimi, mbajtja e maskës në publik, ambiente të brendshme, qëndrimi në shtëpi kur jeni të sëmurë dhe larja e duarve shpesh”.

Zyrtarët shëndetësorë janë njohur me punën e nevojshme për të përmirësuar normat e vaksinimit.

CDC rekomandon që pothuajse të gjithë prej 6 muajsh e lart duhet të marrin një vaksinë kundër gripit çdo vit. Por gjatë sezonit të gripit 2019-2020, vetëm rreth gjysma e atyre njerëzve – 51.8% – e bënë këtë, sipas CDC. Agjencia vlerëson se gripi ka shkaktuar rreth 12,000 deri në 52,000 vdekje çdo vit midis viteve 2010 dhe 2020.

Beteja kundër Coronavirusit çdo vit mund të duket sikurse  beteja vjetore kundër gripit.

“Ne kemi menduar shumë se si duket një fazë endemike dhe të dhënat që duhet të mbledhim gjatë asaj faze. Sigurisht, tani po mbledhim të dhëna për rastet, hospitalizimet, vdekjet,” deklaroi Dr. Rochelle Walensky, drejtor i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në seancën dëgjimore të komisionit të Senatit të së enjtes. “Pyetja është: Cilat do të jenë matjet tona më të mira për të ecur tutje? Dhe ndoshta duke e modeluar atë sipas gripit.”

‘Me shumë gjasa një fotografi e së ardhes sonë’ 

CDC bashkëpunon me departamentet shëndetësore, laboratorët, spitalet dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor për t’i gjurmuar rastet e diagnostikuara të gripit, për të përcaktuar se çfarë virusesh të gripit qarkullojnë dhe për ta matur ndikimin që ato viruse kanë në hospitalizimet dhe vdekjet.

Një ide është se kur Coronavirusi bëhet endemik, një sistem i ngjashëm gjurmimi mund të përdoret për ta monitoruar patogjenin.

“Ne mund t’i trajtojmë rastet ashtu siç bëjmë me gripin sezonal – ku mund të themi se e dimë se do të shohim një numër rastesh në sezonin e dimrit dhe mund të kemi personelin e duhur, mund të kemi të gatshme furnizimet e duhuradhe ne jemi gati t’i trajtojmë, në krahasim me rritjet me të cilat jemi marrë këtu,” tha për CNN Dr. Stephen Parodi, udhëheqës kombëtar i sëmundjes infektive për Kaiser Permanente.

“Unë jam ende duke bërë telefonata dhe duke u marrë me çështjet se cili është kapaciteti ynë i shtretërve në ICU? Cilët janë zinxhirët tanë të furnizimit që ne kemi nevojë për t’u kujdesur për pacientët? A kemi mjekim të mjaftueshëm? A kemi mjaftueshëm antitrupa monoklonal?” ka thënë Parodi. “Ne kemi ende shumë punë për të bërë për të arritur atje ku duam të jemi, dhe mendoj se do ta shohim këtë tranzicion gjatë vitit 2022. Por për disa zona, ku ka më pak imunitet, do të jetë një betejë më e gjatë.”

Edhe gripi është i paparashikueshëm dhe mjekët kanë parë dëshmuar gripe ndër vite.

“Ne e dimë se do të ketë raste tjera,” tha Monto. “Me gripin, ne kemi pasur përvojë me pandemitë e gripit më parë. Kështu që ne e dimë zakonisht mënyrën se si ata sillen. Kjo ka qenë një situatë në zhvillim me një patogjen krejtësisht të ri.”