Gjykimi i ish-Policit Artim Gashi - Foto: KALLXO.com

Gjykimi ish-policit për vrasje në tentativë të ish-bashkëshortes

Në gjykimin e ish-policit Artim Gashi, të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë të ish-gruas së tij, i akuzuari e shfrytëzoi të drejtën që të mbrohej në heshtje.

Ndonëse sot kishte qenë e paraparë që i akuzuari ta jepte mbrojtjen, i njëjti e shfrytëzoi të drejtën e tij për të mos u deklaruar, por të mbrohej në heshtje.

Prokurori i çështjes, Kujtim Munishi i propozoi trupit gjykues që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohej babai i viktimës për të cilin tha se kishe dhënë dëshmi më herët në Prokurori po që propozoi që ky dëshmitar të dëgjohet edhe në gjykatë për t`u qartësuar disa çështje për të cilat tha se nuk janë përmendur gjatë këtij shqyrtimi.

Këtë propozim të prokurorit e kundërshtoi, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramiz Krasniqi.

Ai trupit gjykues i kërkoi që ta refuzonte një propozim të tillë, në të kundërtën tha se do të bënin shkelje esenciale të Kodit të Procedurës Penale.

“Dispozitat e procedurës flasin qartë, se në sallë nuk mund të qëndroj dëshmitari i cili ende nuk e ka dhënë dëshminë, gjersa dëshminë e japin dëshmitarët tjerë. Nëse ju e aprovoni propozimin e prokurorit frikësohem që do të bëni shkelje esenciale të kodit të procedurës penale”, tha avokati Krasniqi.

Por, një gjë të tillë nuk e morri parasysh trupi gjykues, të cilët vendosen që ta aprovonin propozimin e prokurorit, në atë mënyrë që në cilësi të dëshmitarit u vendos që të dëgjohet babai i të dëmtuarës.

Babai i të dëmtuarës dëshmoi rreth rrethanave në të cilat tha se ishin njoftuar e dëmtuara me të akuzuarin si dhe për marrëdhënien e tyre të cilin ata e kishin pasur gjatë martesës.

Ai u përgjigj vetëm në pyetjet e prokurorit dhe të trupit gjykues pasi që avokati Ramiz Krasniqi deklaroi se ai nuk ka pyetje për dëshmitarin pasi që tha se dëgjimi i këtij personi në cilësi të dëshmitarit përbën shkelje të KPPK-së, pasi që ky person kishte qëndruar në sallë të gjykatës gjatë kohës sa dëshmitaret e tjerë kishin dëshmuar.

“Unë nuk kam pyetje sepse nuk mund ta legjitimoj punën e paligjshme të kolegjit për faktin se dispozita e nenit 330 e KPPK flet qartë dhe thotë se “në parim dëshmitari i cili nuk është marrë në pyetje nuk është i pranishëm gjatë shqyrtimit të provave”, në rastin konkret dëshmitari gjatë tërë kohës kur janë dëgjuar dëshmitaret ka qenë prezent në sallë, këtë e di sepse e njoh personalisht dhe e kam vënë re, madje edhe vendin ku është ulur”, u shpreh avokati Krasniqi.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij tregoi se të akuzuarin para se ai të njoftohej me vajzën e tij e kishte njohur vetëm si person, por pasi që ai ishte njoftuar me vajzën e tij, kjo e fundit tha se e kishte njoftuar se ishte duke biseduar me një djalë dhe i kishte kërkuar babait të saj që të njoftohej me familjen e djalit me të cilin ishte njoftuar në shkollë.

Pas takimit me familjen e djalit, dëshmitari tha se i kishte pyetur si vajzën e tij po ashtu edhe tashmë të akuzuarin nëse ata ishin të gatshëm të vazhdonin me lidhjen e tyre për shkak të moshës relativisht të re që kishin të dy, sidomos tashmë e dëmtuara. Pasi që të dy kishin vendosur që të vazhdonin me lidhjen e tyre, dëshmitari tha se sipas traditave shqiptare e kishin zyrtarizuar lidhjen në mes tyre.

“Këta të dy janë dakorduar që të vazhdojnë. Kam kërkuar nga Artimi që sipas traditës sonë të mi dërgoj mesitët sepse vajza ime nuk ishte vajzë e kafeneve, ia ka dërguar mesitët, mixhën e tij dhe dikë tjetër tash nuk më kujtohet kush ka qenë, dhe ja kam dhënë vajzën sipas traditës”, tha dëshmitari.

Për qiftin tha se kanë qëndruar të fejuar për dy-tre muaj e më pas menjëherë ishin martuar, ndërsa gjatë qëndrimit të tyre si të fejuar, dëshmitari tha se i kishte dhënë leje vajzës së tij që të shkonte së bashku me të fejuarin e saj në pushime në Shqipëri dhe se pas këtij pushimi kishin filluar të lindnin problemet.

“Pasi që vajza ime është fejuar me të i kam dhënë leje me shku në Shqipëri, aty sigurisht ka arritur ta shfrytëzoj vajzën time dhe prej atij momenti, kthimit nga Shqipëria vajza ime ka pasur tortura, megjithëse unë si kam ditur të gjitha sepse ajo nuk ka treguar, nuk i ka shfaqur tek unë”, deklaroi dëshmitari.

Pas kthimit nga Shqipëria, babai i të dëmtuarës tha se vajza e tij kishte pasur gjatë gjithë kohës presion fizik dhe psikik.

“Kur janë kthyer nga Shqipëria, ky ka bërë presion fizik dhe psikik me qëllimin se kjo nuk ka më ku të shkoj se tash është “vetëm e imja dhe e imja”. E ka torturuar fizikisht dhe psiqikisht”, tha dëshmitari.

Ai e përmendi edhe një rast për të cilin tha se vajza e tij ishte shtruar në spital si shkak i presionit psikik të cilin e kishte përjetuar nga i akuzuari.

“Më kujtohet një rast deri sa kam qenë në shtëpinë time me disa mysafir, këta me problemet e tyre të përditshme që i kanë pasur, i akuzuari nuk më ka thirr mua por e ka thirr vëllain tim, kanë dalë në “Tauk Bashqe”, me vajzën time dhe janë takuar me Artimin. Në “Tauk Bashkqe”, unë nuk kam qenë prezent, mirëpo prej presionit psikik vajza ime ka shkuar në spital atë ditë, vetëm kur kam kuptuar se ajo atë ditë ka shkuar në spital”, deklaroi dëshmitari.

Përkundër problemeve që tha se i kishte pasur vajza e tij me tani të akuzuarin, babai i të dëmtuarës deklaroi se ai asnjëherë nuk i kishte bërë presion vajzës së tij që ajo të ndahej nga bashkëshorti i saj pasi që ajo e kishte kundërshtuar një gjë të tillë me arsyetimin se “mos po ta marrë fytyrën babi”.

“Pas martesës së vajzës sime me Artimin, lidhja e tyre ka qenë “zi e terr”. Një ditë e ka pas mirë e tri ditë të këqija. Për këtë unë kam kuptuar pasi që ajo është ndarë sipas traditës me njerëz, atëherë e kam kuptuar se çka ka hequr vajza ime, çfarë dhune ka pasur aty”, tha dëshmitari.

Pas ndarjes së qiftit ai tha se më asnjëherë nuk e kishte takuar të akuzuarin, deri pas momentit që kishte ndodhur ngjarja të cilin e kishte takuar në gjykatë më pastaj.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar të këtij viti rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.

Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara  kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma zyrtare e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.

I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.
https://kallxo.com/?s=Artim+Gashi

https://kallxo.com/tezja-tregon-tmerrin-e-perjetuar-kur-mbesa-e-saj-u-qellua-arme-ne-koke/
https://kallxo.com/e-demtuara-rrefen-tmerrin-e-perjetuar-sa-ishte-e-martuar-ish-policin/