Gjilan, Prokuroria akuzon gjashtë persona si veteranë të rrejshëm

Prokuroria  në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave se kanë përfituar pension në kuadër të statutit të veteranit  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se aktakuzat janë ngritur ndaj: F.A, R.R, A.A, I.R, A.H dhe F.D, për shkak të legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Sipas aktakuzave, të pandehurit F.A, R.R., A.A., I.R., A.H. dhe F.D., kanë vënë në lajthim Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës dhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale, në atë mënyrë që i kanë plotësuar me të dhëna të pavërteta aplikacionet e dedikuara për pjesëmarrësit aktiv në UÇK, se kinse kanë qenë të angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës.

Të njëjtit, këto aplikacione i kanë dorëzuar në Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, me ç’rast të pandehurve iu është njohur statusi i veteranëve të luftës dhe e drejta në pension mujor prej 170 Euro.

Të gjithë të pandehurit kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në shumë prej 44 mijë e 810 euro.

Prokuroria tutje thekson se të pandehurit F.A., R.R. dhe A.A., veç e veç kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, i pandehuri I.R., në shumë prej 5,610 euro , i pandehuri A.H., në shumë prej 7,140 euro dhe i pandehuri F.D., në shumë prej 5.540 euro.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzave i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurit të shpallen fajtor për veprën penale dhe të njëjtit të obligohen që të kompensojnë dëmin e shkaktuar.

Më 14 shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët ” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.