Ilustrim

Telashet e Komunës së Prishtinës me tenderin për sigurimin fizik

Autoritetet Kontraktuese po kanë telashe deri tek nënshkrimi i kontratave për shërbimet e sigurimit fizik pas përveç ligjit të Prokurimit po ndikojnë edhe kërkesat që dalin nga Ligji i Punës për Punëtorët që do të angazhohen në kontratë.

Komuna e Prishtinës ka arritur të përmbyll procesin e prokurimit për sigurimit fizik të objekteve pas disa tentimeve për të cilat kishte disa vendime të OSHP-së dhe vetë Autoritetit Kontraktues.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) në vendimin e datës 24 korrik ka vërtetuar njoftimin për dhënie të kontratës nga AK – Komuna e Prishtinës në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të Komunës së Prishtinës”.

Njoftimin për dhënie të kontratës për operatorin “Rojet e Nderit”, Komuna e Prishtinës e ka bërë me 4 korrik.

Kundrejt këtij vendimi të Komunës së Prishtinës është ankuar operatori ekonomik “Alpha Private Security”.

OShP ka vendosur që të aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa e “Alpha Private Security” dhe ka vërtetuar njoftimin për dhënie të kontratës nga Komuna e Prishtinës.

Data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik “Rojet e Nderit” nga Komuna e Prishtinës ishte me 16 korrik, por e njëjta është prolonguar për shkak të ankesës në OSHP. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 600 mijë euro, por vlera e përgjithshme e kontratës fituese është 487.5 mijë euro pasi kusht për këtë tender ishte çmimi më i ulët.

Numri i tenderëve të pranuar ka qenë gjashtë kurse tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ka qenë 543.470 euro.

Njoftimi për kontratë nga Komuna e Prishtinës për herë të parë është bërë me 22 dhjetor të vitit 2017. Kurse ‘njoftimi për dhënie të kontratës’ i parë është publikuar më 2 mars të vitit 2018, ku Komuna e Prishtinës e kishte rekomanduar për kontratë konzorciumin “K.S.AS – Security” & “Komtel Project Engineering”.

Kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për OE të rekomanduar për kontratë ishin ankuar me 6 mars operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security & “SAS”.

Komuna e Prishtinës me 20 mars ka dalë me njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës për operatorin e rekomanduar.

Pas rivlerësimit të bërë, Komuna e Prishtinës sërish e ka rekomanduar për kontratë kompaninë e njëjtë, pasi i ka kërkuar dokumente shtesë kompanisë së rekomanduar për kontratë.

Përsëri me 29 mars është marrë vendim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Përsëri pas ankesave nga operatori ekonomik “Rojet e Nderit” dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Alpha Private Security & “SAS”.

Me 30 mars zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e dy operatorëve ekonomikë ankues për rivlerësim.

Të pakënaqur me këtë vendim të Komunës së Prishtinës, “Rojet e Nderit” janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke e detyruar komunën që sërish të pezullojë aktivitetin e prokurimit më 10 prill.

Me 21 maj është bërë njoftimi për dhënien e kontratës. Me 23 maj, operatori ekonomik “Alpha Private Security” ka bërë kërkesë për rishqyrtim te Komuna e Prishtinës por kjo ankesë është refuzuar si e pa bazuar me 28 maj.

Operatori ekonomik ankues “Alpha Private Security” si palë e pakënaqur është ankuar në OShP me 28 maj.

Por me 30 maj, Komuna e Prishtinës ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës për “K.S.AS – Security” Sh.p.k. “Komtel Project Engineering” Sh.p.k. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 439.4 mijë euro kurse data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës ishte 12 qershor 2018.

Me 27 qershor 2018, Komuna e Prishtinës ka njoftuar për anulimin e dhënies së kontratës. Kjo me arsyetimin që vendimi i OShP-së ka kërkuar anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe rivlerësimin e aktivitetit të prokurimit.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Sigurimi i objekteve të komunës së Prishtinës” të inicuar nga AK – Komuna e Prishtinës.