Suspendimet nga Veseli: Mbulim i skandaleve apo paralajmërim i zgjedhjeve?

Vetëm disa ditë pasi që mori mandatin e dytë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli doli në një konferencë për shtyp ku tha që subjekti i tij politik do t’i shkarkojë nga detyrat publike të gjitha ata zyrtarë të saj që kanë të ngritur aktakuza për korrupsion. E zyrtarëve tjerë të cilët kanë aktakuza por nuk kanë pozita publike, u janë pezulluar postet e tyre brenda partisë deri në përfundim të proceseve të tyre gjyqësore.

Mirëpo, ishin pikërisht këta të shkarkuarit dhe të pezulluarit të cilët me votim të hapur, me të gjitha votat për dhe asnjë kundër, e rizgjodhën z. Veselin kryetar të PDK-së. Është hipokrizi e llojit të vet që të pranosh të zgjedhesh kryetar me votat e njerëzve nën aktakuzë dhe vetëm disa ditë më vonë të bësh gjoja një distancim nga ata persona.

Personat që tani u ndëshkuan nga partia, u emëruan në këto pozita nga vet z. Veseli edhe pse paraprakisht ka pasur aktakuza për ta ose së paku në opinion ka pasur zëra për keqpërdorimet e tyre. Iniciativa do të dukej serioze vetëm nëse atyre personave do t’u ndalohej garimi në zgjedhjet e brendshme në PDK të cilat posa përfunduan. Përkundrazi, jo që nuk u është ndaluar garimi, por edhe disa që paraprakisht ishin larguar nga pozitat udhëheqëse në PDK por që kishin aktakuza të këtij lloji më herët, u kthyen si kryetar dege dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të partisë.

Por çfarë ka bërë PDK paralelisht me vendimin e z. Veseli për gjoja luftën e korrupsionit dhe nepotizmit duke filluar nga brenda?

Vetëm një ditë para vendimit të z. Veseli (por normalisht që kulaçi ishte ndarë më herët), Qeveria e Kosovës emëroi anëtarët e bordeve të disa ndërmarrjeve publike. Sikurse më herët, mediat raportuan që edhe në këto borde u emëruan njerëz të partive politike në pushtet.

Madje, ndoshta për herë të parë në Kosovë, kryetarët e tri komunave të rajonit të Mitrovicës, kërkuan nga qeveria që ta anulojë këtë vendim dhe të mos politizohet Kompania e Ujësjellësit Rajonal KRU “Mitrovica”. Vetëm në këtë kompani si kryetar i bordit ishte emëruar një njeri shumë i afërt i njërit nga të ‘pezulluarit’ e z. Veseli.

Në të njëjtën kohë, Qeveria në të cilën PDK është partneri kryesor qeverisës, është në prag të vazhdimit të monopolit për homologim edhe për dhjetë vite tjera një kompanie e cila ishte përzgjedhur për herë të parë pikërisht nga PDK.

Ishin punëtorët e sigurimit të këtij subjekti politik që ushtruan dhunë ndaj aktivistëve të shoqërisë civile të cilët kishin dalë për të protestuar kundër një projektligji për financim të partive politike i cili është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare e të cilin deputetët e këtij subjekti e kishin përkrahur në të gjitha komisionet përkatëse në Kuvend.

Pra këto janë vetëm disa veprime të fundit të PDK-së që nuk përkojnë me atë që është duke proklamuar z. Veseli në konferenca për media dhe studio të ndryshme televizive. Normalisht që lista e tyre dhe ndoshta me efekte më të mëdha negative është shumë më e gjatë.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike, politizimi dhe nepotizmi i të gjitha institucioneve publike, dallaveret me tenderë, shkatërrimi i sistemit arsimor dhe kapja e drejtësisë janë boshti i të këqijave që i kanë ndodhur këtij vendi pas lufte, e natyrisht PDK ka fajin më të madh duke qenë më së gjati në pushtet. E kjo nuk mund të shpaguhet me vetëm disa shkarkime ose pezullime të disa individëve të partisë.

Të gjitha këto të bëjnë të besosh që kjo iniciativë nuk është serioze. Por a janë zgjedhjet afër, apo ishte një teknikë për t’i mbuluar skandalet e fundit që preken këtë subjekt politik (skandali i znj. Borvina në Kuvend me foto dhe skandali i fajdeve), kjo mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim.

 

Valmir Ismaili është drejtor ekzekutiv i organizatës ‘Demokraci Plus’. Qëndrimet në këtë editorial janë krejtësisht personale dhe jo-domosdoshmërisht paraqesin ato të organizatës.