Prapa grilave - Ilustrim

Rreth 29 mijë persona u akuzuan nga Prokuroria e Shtetit në 2018-ën

Në vitin e kaluar, 2018-të, numri i të akuzuarve për vepra penale, të moshës madhore, u rrit në 28 mijë e 600 persona apo rreth 2 mijë persona më shumë se në vitin 2017-të. Me rritje ishte edhe numri i të dënuarve.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se nga numri i të akuzuarve për vepra penale u dënuan mbi 19 mijë e 700 persona, mes tyre ka edhe gra.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në gjykatat themelore dhe degët e tyre gjatë vitit 2018, të akuzuar për vepra penale kanë qenë gjithsej 28,696.00 persona, prej tyre me aktgjykim gjykues janë dënuar 19,721.00 persona. Nga numri i përgjithshëm i të dënuarve, 1011 ishin gra”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, krahasuar me vitin 2017, numri i të akuzuarve në vitin 2018 është më i madh për 1990 persona ose shprehur në përqindje për 7.4%. Ndërsa, numri i të dënuarve është më i madh për 968 persona ose 5.2%, krahasuar me vitin 2017.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura përmes publikimi të raportit “Statistikat e Jurisprudencës për Persona Madhorë” për vitin 2018.

ASK shpjegon se ky publikim ofron të dhëna statistikore për persona madhorë, të akuzuar dhe të dënuar për vepra penale, si dhe personat e dënuar për kundërvajtje në vitin 2018. Këto të dhëna ofrohen sipas gjinisë, nacionalitetit, mënyrës së zgjidhjes së aktakuzës, paraqitësit të aktakuzës, llojit të dënimit etj.