KMDLNJ kërkon marrëveshje politike për tejkalim të situatës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me konfirmimin e aktakuzave ndaj ish udhëheqësve dhe themeluesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, duke thënë se konfirmimi i aktakuzave nga kontabilistët e politikës ndërkombëtare e ka përkeqësuar situatën politike.

“Edhe para kësaj situate ishte një ndarje e madhe midis pozitës dhe opozitës kurse , tani e kemi një gjendje edhe më të vështirësuar. Presidenti i dorëhequr Hashim Thaçi, ish krye parlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si edhe shefi i Grupit Parlamentar të VV-së , Rexhep Selimi me asgjë nuk e kundërshtuan vendimin e Gjykatës Speciale prandaj arroganca e Policisë së Gjykatës Speciale dhe vet arrestimi i Jakup Krasniqit ishte i panevojshëm në mënyrë si u bë”, thuhet në reagim.

Sipas KMDLNJ-së, të lartcekurit tash të arrestuar, përveç dorëheqjes i bënë thirrje qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim që do ta dëmtonte Kosovën.

“ Deri më tani nga teknologët e politikës ndërkombëtare janë prekur PDK, VV dhe NISMA e që më vonë mund të preken edhe subjekte tjera. Në këtë kontekst KMDLNj kërkon nga subjektet politike në Kosovë të ndalin akuzat dhe luftën politike dhe të bëjnë përpjekje që përmes një konsensusi politik të kontribuojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të imponuar. Për këtë , si nismë të mirë dhe të domosdoshme e që duhet të përkrahet është propozimi i AAK-së për faktin se çdo shtet që përballet me këtë situatë do të kishte kërkesa të ngjashme”, thuhet në reagim.

KMDLNj ka bërë thirrje tek të gjitha subjektet politike të Kosovë që deri në një situatë kur vlerësohet se është tejkaluar gjendja e imponuar të përmbahen nga përpjekjet për rrëzim të qeverisë.

“Konsensusi midis partive politike mund të krijojë kushte dhe mundësi për zgjedhje të reja apo të propozojnë një president /e , pa pasur nevojë të provokohet një krizë tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë të gjitha mundësitë për të akuzuarit të kenë mbrojtje efektive dhe profesionale sikur edhe të përkrahin familjet e tyre në rast se ato kanë nevojë për të vizituar të arrestuarit e Gjykatës Speciale. Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për menaxhim të përballueshëm të situatës dhe në konsultim me të gjitha subjektet politike të bëjnë përpjekje për arritjen e një konsensusi politik”, thuhet në reagim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi para pak minutave janë nisur nga Aeroporti e Prishtinës për të shkuar në Hagë pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar drejtpërdrejt shkuarjen e tyre nga zyrat e EULEX-it e më pastaj në Aeroportin e Prishtinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha presidenti në konferencën për media në Prishtinë.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pasi që ka njoftuar për konfirmimin e aktakuzës së Gjykatës Speciale ndaj tij, ka theksuar se e vlerëson lart faktin që ka marrë ftesë për paraqitje dhe nuk është arrestuar.

Situatë e njëjtë nuk ka qenë me ish-bashkëpartiakun e Veselit dhe ish-zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili dje u arrestua pas një bastisje disa orëshe nga hetuesit e Speciales.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte lëshuar një njoftim për një propozim-aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.