Sistemi i integruar i drejtësisë, marëveshja në letër dhe sfidat në terren

Lufta për largimin e një sistemi paralel të drejtësisë në veriun e Kosovës dhe sfidat e serbëve të Kosovës për pajisje me dokumente valide, ishin temë diskutimi në serinë e fundit të  #DebatiPernime.

Gjyqtarë, avokatë, zyrtarë qeveritarë e qytetarë u mblodhën në Mitrovicën e Veriut ku diskutuan për zbatimin real të Marrëveshjes për Drejtësi që u arrit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, e që synon integrimin e pjesës veriore të  Kosovë në sistemin kosovar të drejtësisë.

Qytetarët po ashtu treguan sfidat personale të pajisjes me dokumente të Republikës së Kosovës, duke pasur të njëjtat dokumente në sistemin paralel serb për shumë vite pas luftës.

Enver Peci, Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, përndryshe gjyqtar nga Mitrovica, tha se problemi kryesor është bartja e një pjese të gjykatës në Mitrovicë të Veriut, por megjithëkëtë sipas tij ka pasur progres në zgjidhjen e lëndëve.

Sipas tij problem jo i vogël është edhe mos përgatitja e kuadrove profesionale për përkthim të dokumenteve juridike nga gjuha serbe ne shqipe dhe anasjelltas.

Lavdim Krasniqi, Drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se kanë arritur të kenë balancë në numrin e prokurorëve serbë dhe shqiptarë dhe po mundohen që këtë ta bëjnë edhe me numrin e përkthyesve.

“Prokuroria po ashtu ka qenë pjesë e marrëveshjes për integrim dhe që nga viti 2017 është përmirësuar qasja në drejtësi. Këshilli prokurorial ka krijuar të gjitha kushtet që prokurorët e integruar të fillojnë punën dhe ka siguruar të sigurojë një numër të konsideruar të përkthyesve. Janë dhjetë prokurorë shqiptarë dhe dhjetë serbë, numrin e përkthyesve po mundohemi ta rrisim në dhjetë nga nëntë sa është momentalisht”, tha Krasniqi.

Blerim Camaj, Drejtor i Agjencisë së Regjistrimit Civil, tha se secili qytetar i strukturave paralele që nga viti 2018 mund të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm pranë zyrave të Regjistrimit Civil.

Camaj po ashtu tha se komunat veriore nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet për shkak se nuk kanë rekrutuar njerëzit e nevojshëm për punësim.

“Institucionet e nivelit qendror e kanë bërë punën e tyre duke ju dhënë qasje të gjithë qytetarëve për pajisjen e tyre me dokumente identifikuese. Ka qenë puna e institucioneve lokale ta bëjnë rekrutimin e punëtorëve në Mitrovicë të Veriut. Komunat nuk e kanë bërë këtë sepse sipas marrëveshjes do të duhej të punësoheshin 39 persona”, tha ai.

Milica Andriq- Rakiq nga portali KoSSev, ka rrëfyer mundin e saj për t’u pajisur me certifikatë të martesës.

“Problemi është ky vendimi i vitit të kaluar.. kjo (vlen) për ata e kanë kryer regjistrimin civil deri më 14 shtator 2016, por nuk përfshin periudhën pas kësaj. Problemi im konkret është se jam martuar në institucionet serbe më 24 shtator. Pra për dhjetë ditë nuk më ka përfshirë ky vendim”, ka thënë Andriq- Rakiq.

“A do të thotë kjo se do të mund të kemi një dasmë të re? Nuk do të ishte e dëshirueshme për mua që t’i kem dy martesa, në dy sisteme të ndryshme, në data të ndryshme. Kjo do të më shkaktonte probleme dhe do të mund të akuzohesh për bigami”, ka shtuar ajo.

Drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj, ka thënë se sipas vendimit të ministrit problemi i Milicës nuk mund të zgjidhet për shkak se martesat njihen vetëm deri në vitin 2016.

Pavarësisht kësaj, Andriq- Rakiq është shprehur e kënaqur që qytetarët e strukturave paralele tashmë mund të pajisen me dokumente identifikuese të institucionet gjegjëse në Kosovë.

Dejan Vasiq, avokat nga Mitrovica, ka thënë se numri i avokatëve nga komuniteti serb është relativisht i vogël.

“Në Mitrovicë nuk ka funksionuar gjykata për dhjetë vite, dhe me këtë qasja ne drejtësi është vështirësuar. Sigurisht se kjo ka dekurajuar juristët e rinj por dhe të vjetrit që të vazhdojnë të merren me këtë profesion.  Por unë pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen. Veçanërisht duke pasur parasysh se kuadrot aktuale gjyqësore këtu në Mitrovicë, në masë të madhe, në prag të pensionimit, unë pres që një numër i madh i këtyre kolegëve do të bashkohen në avokati”, ka thënë Vasiq.

Nenad Radosavleviq nga Televizioni Mir mendon se nëse sistemi gjyqësor nuk ka funksionuar për 18 vjet atëherë duhet të definohet nëse qytetarët kanë realisht nevojë për gjykatë.

“Nëse e imagjinojmë jetën 18 vite  pa komunikim dhe bashkëpunim mes sistemit gjyqësor të Serbisë që ishte këtu në veri të Kosovës, dhe strukturave policore.  Ne thjeshtë nuk kemi pasur gjykatë, as të Kosovës as të Serbisë, sepse vendimet e gjykatave të Serbisë nuk mund të përmbaroheshin. Thjeshtë tani shtrohet pyetja, nëse gjykatat vërtetë na duhen ne. Dhe tani, kur kemi jetuar 18 vite dhe asgjë drastike nuk ka ndryshuar, në kuptim të numrin të lëndëve, rritjes së tyre, kriminalizimit dhe dekriminalizmit”, ka deklaruar Radosavleviq.

Sipas tij me marrëveshjen e Brukselit ju është thënë se do të rregulloheshin gjërat, por realisht vetëm u është servuar dhe asgjë më shumë.

Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka shtuar se këto probleme nuk janë vetëm çështje e gjyqësorit, por janë reflektim i raporteve politike ndërmjet dy shteteve.

Përkthimi profesional serbisht-shqip në institucione u pa si problem nga shumica e panelistëve.

Lidhur me shtrirjen e gjuhëve zyrtare të palëve në nivel komunal, drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camaj tha se ka pengesa politike pavarësisht se lejohet nga ligjet në fuqi për gjuhët.

Nenad Radosavleviq nga Televizioni Mir tha se problemi i ofrimit të dokumenteve në gjuhët zyrtare të palëve është për shkak të mungesës së kuadrove profesionale.

“Unë e di këtë kur jam në Kuvend, kur kërkojnë persona për të përkthyer, vërtetë është problem i madh. Ka edhe probleme subjektive. Njerëzit nuk kanë, ende, guximin që të kërkojnë që të themelohen studimet sllave në fakultetin e Prishtinës, dhe anasjelltas. Të them të drejtën, ky frustrim, nga lufta, dhe urrejtja e krijuar që atëherë tani kanë krijuar kundërshtim dhe paragjykim se nëse e dini gjuhën tjetër jeni më pak patriot. Mendoj se këtu duhet ndryshuar ligjin”, ka shtuar ai.

Predrag Milkovic, qytetar ka sugjeruar gjyqtarin Pecin, për themelimin e një akademie Ad Hoc për mësimin e gjuhëve serbe dhe shqip, në mënyrë që të bëhej zgjidhje sistematike e problemit të  përkthimit të dokumenteve.

“Nëse themi se kemi problem madhor me përkthimet dhe se kemi mungesë kuadri të përkthyesve në Kosovë, pse të mos organizojmë një  akademi Ad Hoc dhe të themi, na mungojnë 30 përkthyes dhe deri vitin e ardhshëm duam të kemi 30 përkthyes dhe pastaj në këtë akademi të kalojnë 30 filologë të rinj”, ka sugjeruar Milkovic.

Në anën tjetër, avokati Vasiq tha se në gjyq nuk kanë probleme me përkthim.

“Çdo gjykatë e ka përkthyesin e vet, disa përkthyes janë më të përqendruar, disa jo, disa janë më të mirë, disa më të dobët, por asnjëherë nuk ka ndodhur që të mbahet gjykimi e të mos ketë përkthim. Kurdo që kemi pasur lëndë me gjykim në shqip, gjithmonë ka pasur  përkthyes, dhe nëse përkthyesi nuk ka qenë i pranishëm ajo ka qenë arsye për përsëritje të procedurës”, ka thënë Vasiq.

Svetlana Rakiq, bashkëshorte e një shtetasi të Kosovës dhe Koordinatore Profesionale në Programin e Përfshirjes Shoqërore të Komuniteteve Pakicë në kuadër të organizatës IOM ka probleme me marrjen e shtetësisë së Kosovës edhe pse ka dorëzuar deri më tash të gjitha dokumentet e kërkuara, rreth 28 sosh.

Por, Rakiq ka thënë se problemi i saj është se institucionet kosovare i kërkojnë vulë apostile në dokumente origjinale serbe dhe se Serbia nuk mund ta lëshojë këtë lloj vule në dokumente origjinale.

Ajo ka pyetur tre panelistët e institucioneve kosovare nëse do t’ i mbështesnin stafin e tyre duke ju rekomanduar mësimin e gjuhës serbe.

Camaj tha se vula apostile kërkohet për të gjitha dokumentet e shteteve të tjera dhe jo vetëm të Serbisë, duke përjashtuar ato të BE-së.

Kurse Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial tha se mosnjohja e gjuhëve është barrierë për të gjithë, por nuk mund të ja obligojë mësimin e gjuhëve stafit të tij për shkak se mund të bëhen shkelje ligjore të të drejtave të njeriut. Duhet të jepen të gjitha mundësitë por jo të obligohen.