Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Shkëmbimi i territoreve është dredhi e Thaçit: Mos bini në grackë!

Propozimi për t’i ‘korrigjuar kufijtë’ është hi syve. Ky lloj skenari nuk do t’i dilte mirë as Presidentit Thaçi e as Presidentit Vuçiq – të dytë do ta humbnin pushtetin që e kanë mbi Kosovën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së fundi ka lëshuar disa deklarata që luajnë me idenë e ndryshimeve të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrën e vet shizofrene, pasi që ka propozuar “korrigjime kufijsh” që do të përfshinin bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë, ai pastaj vazhdoi të insistojë se nuk do të ketë “ndarje, shkëmbime territoresh, apo autonomi”, e hiç më larg pastaj vazhdoi ta kundërshtonte veten duke thënë se ai s’mund të mbahej përgjegjës për atë se çka Serbia do të kërkonte në shkëmbim.  Diskursi i Thaçit i befasoi mjaft njerëz. OJQ, komentatorë aktualë e të pensionuar të Ballkanit, politikanë vendorë e ndërkombëtarë, të gjithë u ngutën e i morën komentet e Thaçit seriozisht. Kjo është mu ajo çka Thaçi donte, dhe këtë e arriti. Sikur ta dinin ata që propozimi i Thaçit për të “korrigjuar kufijtë” është veç fjalë boshe që i shërben interesave të tija të dyshimta politike.

Për t’i ndryshuar kufijtë, të dy palët (Kosova dhe Serbia) duhet me qenë të gatshme për ta bërë një gjë të tillë. Është me se e qartë që asnjëra nga palët s’është e gatshme. Serbia ka kontroll mjaft të madh mbi Kosovën, diçka që mund të mos jetë menjëherë e dukshme për ata që janë të fiksuar me politikat ditore kosovare. Gjatë procesit të negocimit në Bruksel, Serbia ka arritur të përdorë Planin e Ahtisaarit (Kushtetutën e Kosovës) për të fituar kontroll mbi politikën e Kosovës, duke e nënshtruar këtë të fundit ndaj Serbisë në disa nivele të ndryshme. Duke e themeluar Listën Serbe, tani një parti politike me monopol mbi politikën serbe në Kosovë, Serbia ka arritur të kthejë fuqinë e vetos që kanë serbët e Kosovës për çështje jetike të shtetit, në fuqi të vetos për vet Serbinë.

Fuqia e vetos e Serbisë që i rri mbi kokë politikave të brendshme të Kosovës u bë e qartë në disa raste të ndryshme në të kaluarën, më së fundi në zgjedhjen e Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës. Serbia kishte lënë atëbotë kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj, të priste derisa Lista Serbe të kthehej nga Beogradi për t’i dhënë lajmin nëse Beogradi pajtohej që ai të bëhej Kryeministër i Kosovës.

Kjo është vetëm një pjesë e fuqive sovrane që Serbia i ka arritur në Kosovë. Serbia e kontrollon sistemin e arsimit në komunat me shumicë serbe, dhe përmes Planit të Ahtisaarit ka siguruar të drejta jashtë-territoriale mbi pronat e Kishës Ortodokse, në mes tjerash.

Përmes marrëveshjes së Brukselit të 2013-tës, ajo arriti që ta garantojë që pozita e drejtorit rajonal të policisë për veriun e Kosovës t’i takojë vetëm një anëtari të komunitetit serb, përkundër faktit që veriu është më multi-etnik se sa krejt Kosova. Themelimi i Listës Serbe si satelit politik i Beogradit në Kosovë në institucione nacionale dhe lokale, një rezultat direkt i procesit të negocimit në Bruksel, e ka bërë të pamundur që Kosova të themelojë ushtrinë e vet pa pajtimin e Beogradit .

Me ndryshime territoriale, Serbia do të fitonte kontroll total mbi një pjese të territorit të Kosovës në veri, por po ashtu do të rrezikonte të humbte pushtetin që ka mbi krejt jetën politike në Kosovë, në krejt territorin e saj. është vështirë për ta besuar se Serbia do të donte të humbte këtë, si dhe fuqi tjera të tjera mbi krejt Kosovën, për të cilat ka punuar kaq me zell fillimisht përmes Planit të Ahtisaarit (të cilin s’e ka pranuar) dhe më vonë përmes procesit te negocimit në Bruksel.

Por edhe vet Thaçi nuk është në pozitë për të bërë thirrje për ndryshime kufijsh. Rezultati do të ishte i tmerrshëm për të. Çfarëdo lloj ndryshimi kufijsh do të forconte më tutje kundërshtarin e tij politik, Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo është gjëja e fundit që Thaçi do. Nëse do e marrim Vetëvendosjen sado pak seriozisht, ata janë të interesuar që të shohin Thaçin duke harxhuar shumë kohë nëpër gjykata e madje edhe prapa grilave nëse ndonjëherë vijnë në pushtet. Askush nuk e di këtë më mirë se vet Thaçi: ai është shënjestra e parë e Vetëvendosjes.

Ekziston edhe një aspekt tjetër i politikës së brendshme të Kosovës që ilustron se pse Thaçi është personi i fundit që mund të dojë që ndryshimet të ndodhin. Ndryshimet e kufijve ka shumë gjasa të vinin në pikëpyetje rendin aktual kushtetues në Kosovë dhe ekzistencën e Kosovës si një shtet i pavarur si kurrë më parë. Një lëvizje e tillë do ti arsyetonte zërat që bëjnë thirrje për t’u bashkuar me Shqipërinë, dhe pa marrë parasysh a ndodhë a jo kjo, ndryshimet e kufijve të Kosovës do të rrisnin legjitimitetin e argumenteve të Vetëvendosjes dhe do të sillnin dështimin total të legjitimitetit politik të Thaçit, të cilin ai e ka fituar mu përmes këtij rendi kushtetues. Nëse Kushtetuta e Kosovës do të kishte një fytyrë- ajo do të ishte e Thaçit. Të vritej politikisht rendi aktual kushtetues i vendit do të thoshte vrasje politike për Hashim Thaçin, dhe Thaçi nuk më duket si një person që do të bënte vetëvrasje politike në një moshë kaq të re.

Në të njëjtën kohë, vetëm duke shikuar dimensionin ndërkombëtar të ndryshimeve të kufijve e zbulon një politikë të tillë si të parealizueshme. Nuk besoj se ka shumë njerëz që presin që një ndryshim i kufijve të ndodhë pa ndezje të një konflikti potencial, dhe si pasojë, nxitje e dhunës masive dhe deportimeve në shtete të ndryshme në Ballkan. Nuk jam duke sugjeruar se konflikti mund të fillojë një ditë pasi që të rivizatohen kufijtë; mund të ndodhë muaj më vonë, apo mund të ndodhë gjersa kufijtë po negociohen. Një shikim i shpejt në politikat e anëtareve kryesore të BE-së jep sinjal se ka shumë pak apetit në Evropë për luftëra në fqinjësinë e tyre të afërt, e që do të hapte mundësinë për edhe një valë të re emigrantësh në Europë. Administrata aktuale në SHBA, pak a shumë e painteresuar në Ballkan, nuk është e gatshme të udhëheqë një politikë të tillë të rrezikshme vet, një politikë që mund t’i del mirë për momentin vetëm Rusisë.

Llomotitjet territoriale të Thaçit janë thjesht një dredhi për politikë të brendshme për t’i zënë në grackë kundërshtarët e tij politikë në një diskutim për një politikë inekzistente të ndryshimit të kufirit. Strategjia e Thaçit për të krijuar një përshtypje shoku, për t’i mbajtur kundërshtarët politikë të zënë duke mbrojtur shtetin nga një kërcënim i menjëhershëm por inekzistent, në mënyrë që ata të mos e sulmojnë Thaçin për kërcënimin e vërtetë të cilin ai po përgatit. Unë vë bast se kërcënimi i vërtetë është krijimi i një shtrese të tretë (etnikisht serbe) të qeverisë si një entitet i ndarë, që do të kërcënojë më tutje funksionimin e shtetit dhe të rrisë shtrëngimin e Serbisë mbi të gjithë Kosvën. Nuk jam në pozitë t’i them serbëve të Kosovës se çka është më mirë për ta; ata më shumë se kushdo tjetër e dinë vet. Unë veç mund të parandiej që të dy politikat edhe ajo e ndarjes së Kosovës si dhe ajo e themelit të entitetit mono-etnik serb, s’do t’ju shërbejnë atyre në përfundim. Ndarja e Kosovës do t’i lë shumicën e serbëve në Kosovë që jetojnë në jug të vendit pak a shumë si qytetarë të dorës së dytë, ngjashëm me atë se si shqiptarët e Serbisë trajtohen sot. Themelimi i entitetit serb do t’i ndajë edhe më tutje nga Kosova dhe do t’i lë të qeverisur në mënyrë monopoliste nga Beogradi përmes Listës Serbe, pa kurrfarë pluraliteti politik për zgjidhje dhe mundësi të ndryshme në Kosovë.

Me diskutimin për shkëmbime territoriale, Thaçi dëshiron që në mënyrë paradoksale të shpallë fitoren kur ta themelojë entitetin serb. Ai dëshiron t’i tregojë audiencës që duke e themeluar entitetin serb në Kosovë, ai ka bërë ata çka kundërshtarët e tij politik nuk do të mundnin kurrë – t’i mbronte kufijtë e shtetit. I lus të gjithë që të mos bien në këtë grackë e të frikësohen nga skenari inekzistent i Thaçit për ndryshime kufijsh. Thaçi është duke mashtruar kundërshtarët e tij politikë dhe publikun e gjerë. E ka bërë këtë edhe më parë, dhe është duke e bërë prapë. Thaçi dëshiron ta kthejë vetën prej nga njëri nga njerëzit më të rrezikshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj, në mbrojtësin e saj. Mos e përkrahni këtë njeri duke diskutuar atë se çka ai dëshiron ta diskutojmë; në vend të kësaj duhet të diskutojmë se cilat janë qëllimet e tija të rrezikshme dhe të dyshimta.

 

Shpend Kursani është hulumtues doktorant në Departmanetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike në European University Institute, ku hulumton rastet e shteteve të kontestuara pas 1945-tës.

Opinionet e shprehura në këtë seksion janë vetëm të autorve dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë qëndrimet e BIRN.