Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

‘Rivlerësimi’ i tenderit për ujësjellësin e Dragashit, pengesë për fillimin e punimeve

Pas ankesës së Operatorit Ekonomik ‘Puna’ dhe ‘Infra Plus’ në Prizren, Komuna e Dragashit nuk do të mund t`i filloj punimet në projektin “Ujësjellësi kryesor vazhdimi i punimeve projekt tre vjeçar”, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës.

Gazeta Jeta në Kosovë që nga fillimi është duke i ndjekur fazat e këtij tenderi i cili nuk po mund të arrij deri në finale shkaku i shkeljeve ligjore që po bëhen në këtë tender i cili mbulon 15 fshatra dhe qytezën e Dragashit.

Gjatë seancës së mbajtur në gjykatën e tenderëve, eksperti shqyrtues ka sqaruar se janë përsëritur pretendimet ankimore të njëjta për palët në procedurë lidhur me pretendimet ankimore.

“Palët janë të njëjta për rastet të cilat janë shqyrtuar më parë si çështje të gjykuara ‘res judikata’ sipas nenit 105.2.16 të LPP”, thotë eksperti.

Eksperti shqyrtues tha se për këtë aktivitet të prokurimit dhe katër vendime të OSHP-së komisioni i rivlerësimit nuk i ka vlerësuar, ekzaminuar, krahasuar, ofertat e operatorëve ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit dhe nuk i ka respektuar vendimet e OSHP-së dhe Urdhëresën e OSHP-së duke vepruar në pajtim në tërësi me dispozitat ligjore të ligjit për Prokurim Publik.

Ndërkaq, komuna e Dragashit nuk është pajtuar me mendimin e ekspertit. Kurse operatori ankues ka thënë se ky aktivitet i prokurimit në OSHP është shqyrtuar deri më tani 6 herë.

Gjithashtu për operatorin e rekomanduar për kontratë ‘Alfa Ing’ thotë se është i papërgjegjshëm.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka shkruar vazhdimisht për këtë tender.

Në dhjetor 2018 Gazeta JnK ka shkruar edhe për arsyet se pse ky tender nuk po mund të realizohet.

Kryetari i Komunës së Dragashit Shaban Shabani, kishte thënë për KALLXO.com, se projekti i ujësjellësit është një nga projektet madhore të komunës së Dragashit që i përfshinë 15 fshatra dhe qytezën.

Sipas Shabanit, ky projekt nuk po mund të realizohet shkaku i pengesave gjatë procesit të tenderimit.

Kryetari fajin ia len edhe komisionit vlerësues, i cili sipas tij pas çdo vlerësimi, OSHP-ja i ka kërkuar që lëndët të rivlerësohen.