
VIDEO - Mbyllen 4 komuna paralele në Vranisht të Dragashit
Sot në fshatin Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele.
Kështu njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke thënë se në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.
“Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”- ka shkruar ministri Krasniqi në “Facebook”.
Duke u ndërlidhur me postimin e ministrit Krasniqi, u deklarua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Të dy këta ministra kishin marrë pjesë në aksion me organet e rendit.
“Dje ne Zveçan e sot në Dragash, ashtu siç jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Republikës së Kosovës. Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë” – ka shkruar ministri Sveçla.