Foto: Ilustrim

Dragash, gjendet gruaja që u raportua e zhdukur

Një grua nga fshati Bresanë e Dragashit, e raportuar më 18.03.2024 si e zhdukur, është gjetur sot, më 19.03.2024.

Sipas Policisë, gruaja është gjetur e gjallë por në gjendje të rënduar shëndetësore.

Ajo është gjetur në një rrugicë të fshatit.

Policia ka njoftuar se më 18.03.2024 rreth orës 02:00, një qytetar ka raportuar në stacionin policor të Dragashit se nëna e tij është larguar nga shtëpia gjatë natës dhe edhe pse është kërkuar nga familjarët nuk kanë mundur ta gjejnë.

Kërkimet kanë zgjatur deri në orët e mëngjesit nga familja dhe fqinjët, por pa sukses.

Pas raportimit në Polici, janë dërguar zyrtarët policorë për të hetuar rastin dhe për të kërkuar viktimën e gjatë ditës kërkimit i është bashkuar edhe një ekip vullnetar nga Prizreni, por nuk është arritur të gjendej 70-vjeçarja R.R.

Kërkimet kanë vazhduar edhe sot, me ç’rast është bërë thirrje për ndihmë në kërkim nga institucionet dhe banorët e fshatrave të Opojës dhe rreth orës 14:10 Policia ka marrë informatën se ajo është gjetur e gjallë por në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas Policisë, ajo fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Bresanë dhe pas tretmanit mjekësor fillestar, viktima është dërguar në Spitalin  Rajonal në Prizren për tretman të mëtejshëm mjekësor.