Nuk Kompletohet Komisioni Për PTK-në

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur nga LDK-ja dhe Vetëvendosja për formimin komisionit parlamentar për hetimin e privatizimit të PTK-së, e ku ishin të pranishëm 59 deputetë, nuk është arritur të kompletohet ky komision, pasi që seanca është bojkotuar nga deputetët e pozitës.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi edhe pse tha se ekziston një mospërputhje mes Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit për mbajtjen e seancës, vazhdoi mbajtjen e saj.

“Kemi një ndeshje mes asaj që shkruan Kushtetuta dhe rregullores së Kuvendit… “, tha kryeparlamentari  Krasniqi.
 
Neni 77 i Kushtetutës përcakton që me kërkesën e një të tretës së deputetëve caktohen komisione për çështje të veçanta, përfshirë edhe çështje hetimore. Ndërkaq rregullorja e kuvendit parasheh që në kuvend duhet të jenë mbi 60 deputetë.

Kuvendi i Kosovës është i përbërë nga 120 deputetë.

Deputeti Arben Gashi, LDK, kryetar i komisionit për legjislacion interpretoi për Gazetën Jeta në Kosovë ligjin rreth kësaj çështjeje.

Ai tha se formimin e komisionit në seancën e sotme e lejon kushtetuta, derisa konstituimi mbetet të ndodhë në seancën e radhës.

“Kushtetua e thotë eksplicit se me 40 vota komisioni është i formuar, por nuk është i konstituar. Mbetet konstituimi në seancën e radhës. Partia tjetër me i dhënë deputetët e vet edhe me kry një votim formal. Ka ndodhë formimi. Duhet të plotësohet, edhe partitë tjera duhet me i propozu kandidatët e vet“, tha deputeti Gashi

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, tha se me formimin e këtij komisioni do të hetohet baza ligjore e marrjes së vendimit për privatizim, të hetohen procedurat e privatizimit, dhe më pas të përmbyllet i tërë procesi me miratim në Kuvend.

LDK-ja propozoi për anëtarë të këtij komisioni Hikmete Bajramin dhe Armend Zemajn, ndërsa si kryesues të komisionit deputetin, Muhamet Mustafa.

Ndonëse shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci pat deklaruar se do ta mbështesin dhe respektojnë iniciativën e opozitës për komision hetimor, ata bojkotuan seancën e sotme.

Adem Grabovci i tha Gazetës Jeta në Kosovë se arsye për mospjesëmarrje në seancë është fillimi i fushatës zgjedhore.

“Sot ju e dini, është hapja e fushatës. Të gjithë kanë qenë të shpërndarë. Arsyeja është fushata”, tha Grabovci

Ismet Beqiri kritikoi pozitën për bojkotin e sotëm.
 
“Demokracia i lejon bojkotimet, por është e habitshme që pozita, koalicioni bojkoton ose më mirë e saboton hetimin e një çështje. Mospjesëmarrja e tyre dëshmon paturpësinë pafytyrësinë, e këtyre që janë thirrur për transparencë dhe mbështetjen e plotë të këtij procesi”, tha shefi i grupit parlamanetarë të LDK-së Ismet Beqiri.

Lëvizja Vetëvendosje për anëtarë të këtij komisioni zgjodhi shefin e grupit parlamentar, Visar Ymerin.

Ymeri e ka quajtur puç mënyrën e privatizimit të PTK-së nga ana e Qeverisë.

“Pa e marrë vendimin e Kuvendit [qeveria] ka bërë puç qeveritar duke marrë vendime krye në veti.  Kjo tregon se këta puçistë duan ta pamundësojnë që Kuvendi të mbrojë Kosovën dhe ndërmarrjet publike nga ky veprim puçist”, tha Ymeri.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini prezantoi deputetin Burim Ramadani për anëtar të këtij komisioni.

Gjini po ashtu ka kritikuar bojkotimin e seancës nga deputetët e pozitës.

“Është goxha sjellje jo demokratike, jokonform që partitë në pushtet ta lëshojnë sallës. Sikur të kishin qenë këtu kanë mundur që ta votojnë kundër”, tha Gjini.

Edhe deputetja e pavarur Alma Lama, njëra nga nënshkruesit për thirrjen e seancës së sotme të jashtëzakonshme, ka kritikuar pozitën për bojkot.

“Bojkoti është në kundërshtim të plotë me logjikën e kuvendit”, tha deputetja Lama.

Ndërkaq deputeti Muhamet Mustafa, tha se procesi i privatizimit rrezikohet ngase i mungon baza ligjore.

“Ne kemi debatuar gjatë, ky proces është në rrezik komprometimi, sepse i mungon baza ligjore. Kjo ka qenë frika jonë. Jemi emotivë, sepse kemi të bëjmë me pasurinë publike me pasurinë e Kosovës”, tha Muatafa.
 
Përfaqësuesi i vetëm që ishte prezent nga radhët e pozitës, Bujar Bukoshi, kritikoi gjuhën e deputetit të VV-së Visar Ymeri.

“Kisha dëshiru që në të ardhmen të ruhet niveli i parlamentit”, tha Bukoshi.

Në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës pas aprovimit nga Kryesia pritet që të vazhdojë kompletimi i komisionit, nëse pozita do të shprehë gatishmëri.

Në po të njëjtën seancë mund të futet si pikë e rendit të ditës votimi i raportit për privatizimin e PTK-së.

Një kërkesë e tillë pritet të bëhet nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci.

Raporti i qeverisë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së ka dështuar të votohet dy herë më parë në kuvend për mungesë kuorumi.