Motra e deputetes së AAK-së punësohet në ministri pa konkurs publik

Ena Kadaj- Krasniqi, motra e deputetes së AAK-së Donika Kadaj- Bujupi, është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes si përkthyese e gjuhës serbe.

Ajo nuk ka marrë një kontratë të rregullt, por është angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta pa konkurs publik.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zyrtari për marrëdhënie me publikun në këtë ministri, Ibrahim Shala.

Shala ka thënë se Ena Kadaj- Krasniqi është punësuar për shkak të nevojave të Ministrisë që të përkthehen tekstet në gjuhën serbe në kohën e shndërrimit të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës.

“Ena Krasniqi nuk figuron në listë të pagave të Ministrisë së Mbrojtjes. Për shkak të vëllimit të shtuar të punëve, ka qenë nevojë e domosdoshme dhe kërkesë e vazhdueshme nga DMP (Departamenti për Marrëdhënie me Publikun) por edhe nga NALT-i (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), që gjatë fazës së transformimit të FSK-së, të gjitha dokumentet që publikohen në ueb faqen e ministrisë, të jenë të përkthyera edhe në gjuhë serbe”, ka thënë Shala.

Sipas tij, motra e deputetes ka marrë kontratë për shërbime të veçanta e cila është valide deri më 1 maj 2019.

“Ena Krasniqi, është e punësuar përkohësisht me marrëveshje për shërbime të veçanta. Nuk është e punësuar me kontratë mbi vepër, e as me kontratë të rregullt”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Ena Krasniqi në Ministri të Mbrojtjes do të paguhet nga linja e mallrave dhe shërbimeve, pra me kontratë për shërbime të veçanta.

Ministria e Mbrojtjes aktualisht drejtohet nga ministri Rrustem Berisha i cili vije nga radhët e partisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me deputeten Donika Kadaj- Bujupi për ta parë nëse ka ndikuar në punësimin e motrës, por ajo nuk ka pranuar të flasë.

Kada-Bujupi ka hyrë në Kuvendit e Kosovës me votat që i ka fituar duke garuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Kandidimi i saj për Levizjen Vetëvendosje kishte ndodhur pas një ndarje të bujshme që kishte partin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Haradinaj tregtoj me Veselin. Jo lavdinë e tij të luftës, por lakminë e tij për pushtet. Pushtetin nëpërmjet një monedhe të trefishtë. Një vjet pazare me Kadrinë për postin e tij. Me monedhën kundrejt 205.000 nënshkrime qytetarësh kundër demarkacionit. Monedhën kundrejt arrestimeve tona përderisa negocionte fshehtas me Pronto. Monedhën e Dukagjinit për SHIK-un”, kishte shkruar Kadaj Bujupi në Facebook.

Përkundër që e kishte akuzuar Haradinaj për tregtim për pushtet, ajo ishte rikthyer në AAK, katër muaj pasi kjo parti morri drejtimin e qeverisë. Kada-Bujupi ishte rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës pas funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të qeverisë e cila drejtohet nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kujtojmë se së fundmi bashkëshorti i deputetes Kadaj- Bujupi është punësuar në Telekom.