Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale- Foto: ASHMDHP

‘Mashtrimi’ për studime jashtë vendi për të përfituar pushimin 1 vjeçar

Zyra Kombëtare e Auditimit, me anë të raportit vjetor për Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka evidentuar mangësi si në procesimin e pagesave, menaxhimin e personelit dhe menaxhimin e pasurive jo kapitale si rezultat i mosfunksionalizimit të sistemit e-Pasuria.

Sipas raportit të ZKA-së, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të dhënave personale tri pozita kyçe të saj i ka lënë në funksion të një personeli tjetër.

E gjetura e ZKA-së, është pozitat kyçe të paaprovuara me buxhet ku sipas Ligjit të Menaxhimit të Financave Publike çdo organizatë buxhetore duhet ta ketë pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar, Zyrtarit Certifikues dhe Zyrtarit të Prokurimit.

Sipas ZKA-së, në Agjenci, këto pozita nuk janë të aprovuara dhe që nga themelimi i Agjencisë këto funksione ushtrohen nga personeli tjetër.

“Për më tepër për këto funksione (pozita) agjencia ka aplikuar ushtrimin e tyre me rotacion ku deri më tani funksionin e ZKF-së e kanë ushtruar disa zyrtarë. Menaxhmenti ka bërë përpjekje për të siguruar aprovimin e këtyre pozitave dhe me buxhetin e vitit 2018 ka arritur të siguroj një pozitë për ZKF-në, e cila deri sa ne ishim në auditim ende nuk ishte plotësuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rrezikshmëria e kësaj çështjeje sipas auditimit është menaxhimi i funksioneve kyçe nga personeli jo adekuat dhe praktika e ndarjes së pozitave për kryerjen e detyrave me rotacion rrit rrezikun që zyrtarët e emëruar mund të hasin në pengesa në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në raport me kërkesat. Kjo ndikon që përgjegjësia dhe llogaridhënia në punë të mos përfillet dhe krejt kjo reflektohet edhe në menaxhimin jo efektiv.

Sipas ZKA-së, një çështje tjetër është edhe pushimi pa pagesë i një zyrtari të kësaj agjencie për studim jashtë vendit për një periudhë një vjeçare, ku pas kontrollimit ZKA ka vërejtur se i njëjti nuk është hasur i regjistruar apo i pranuar në ndonjë universitet ashtu siç ka kërkuar.

“Gjatë trajtimit të kësaj lënde ne nuk kemi vërejtur dëshmi relevante se kandidati ishte i pranuar apo regjistruar në ndonjë universitet siç e ka theksuar në kërkesë. Përkundër kësaj pushimi i ishte lejuar nga drejtori”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreziku i kësaj çështjeje sipas ZKA-së, është që zyrtari mund ta përdorë pushimin pa pagesë për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin i është aprovuar pushimi. Po ashtu, kjo ndikon që Agjencia për një vit të angazhojë zyrtarë tjerë me qëllim të përmbushjes së detyrave të mbetura, kurse në anën tjetër të mos e arrijë qëllimin për çka e ka aprovuar pushimin pa pagesë.

Anashkalimi i rregullave të thesarit gjatë procesimit të pagesave është një tjetër e gjetur e ZKA-së për Agjencinë Shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në raport thuhet se sipas rregullave të Thesarit, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.

“Në nëntë pagesa në shumë prej 8,719€, kemi vërejtur se urdhër blerjet ishin krijuar pas pranimit të faturës. Kjo çështje është duke u përsëritur qe dy vite radhazi, megjithëse në vitin 2017 ishte me një trend më të ulët”, thuhet në raportin e ZKA-së, duke shtuar se rreziku i kësaj çështjeje mund të jetë pranimi i mallrave dhe shërbimeve ashtë kërkesave të parapara, si në sasi ashtu edhe në cilësi.

Mos funksionalizimi i sistemit e-pasuria është e gjetura tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit sa i përket Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Rregullorja  thekson se pasuritë kapitale duhet të regjistrohen në regjistrin kontabël – SIMFK ndërsa pasuritë jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohet në sistemin “e – Pasuria”. Agjencia, ende nuk e ka në funksion programin qeveritar e-pasuria. Në mungesë të këtij programi, regjistri i pasurisë me vlerë nën 1,000€ është duke u mbajtur në një formë të Exel-it, ku ekziston mundësia e ndryshimeve në çdo kohë dhe pa lënë gjurmë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreziku i mos funksionalizimit të sistemit e-pasuria, është në kundërshtim me rregulloren dhe paraqet rrezik në menaxhimin e pasurive jo kapitale dhe stoqeve për kontroll, si dhe paraqitje të plotë të vlerës.

Po ashtu ZKA, si çështje ka ngritur edhe mos zbatimin e rekomandimeve nga dy vitet paraprake që i janë rekomanduar kësaj agjencie.

“Agjencia nuk ka arritur të zbatoj plotësisht as rekomandimet e dhëna në vitin 2015 dhe nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar afatet e zbatimit të tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së.