Foto: ballantines.com

Kompania Publike Dhuron Whisky

Festat e fundvitit nuk do të dukeshin të plota sikur mos të kishte edhe një shishe “Whisky Ballantines” në tavolinë e pritjes.

Bashkëpunëtorëve, klientëve dhe partnerëve të saj, Kompania Rajonale “Pastrimi” ishte kujdesur t’u dhurojë pije alkoolike “Whisky Ballatines”. Kjo kompani i ka shpenzuar 412 euro për blerje të pije alkoolike “Whisky Ballantines” të cilat thonë e u janë shpërndarë bashkëpunëtorëve para Vitit të Ri.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) është publikuar  njoftimi  për nënshkrimin e kontratës “Furnizim me Wiski Ballantines 0.70 L 40 % Alkohole” në vlerë të kontratës prej 412 euro.

Kjo kompani bleu jo më pak se 40 shishe me “Whisky Ballantines”. Ato kanë një përqendrim të alkoolit prej 40 për qind, ndërsa janë 0.7 litra.

“Janë blerë gjithsej 40 copë Whisky Ballantines për cilin furnizim është udhëhequr Procedura e Prokurimit Furnizim me Whisky Ballantines 0.70L 40% Alkohole ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com të zyrës për komunikim me Publikun  e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”.

Një “Whisky Ballantines” kompanisë doli t’i kushtojë 10 euro e 30 centë.

Për KALLXO.com, Kompania “Pastrimi” Sh.A e bëri të ditur se arsyen e blerjes së këtyre pijeve alkoolike.

“Dihet që Kompania “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë është Kompani Publike Rajonale, kryen shërbim në shtatë komuna dhe ka 80.000 klientë. Andaj, “Whisky Ballantines” janë dhuruar si dhurata për festat e fundvitit 2016 për bashkëpunëtorët, klientët dhe partnerët të cilët kanë bashkëpunuar më Kompaninë “Pastrimi”, për një shërbim dhe ambient më të mirë,” thuhet në përgjigjen e menaxhmentit të kësaj kompanie për KALLXO.com

Vlera e parashikuar të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit ishte 999 euro. Kjo vlerë e parashikuar e kontratës është vetëm për 1 euro më pak se limiti i kontratave për të cilat duhet të aplikohet procedura e hapur e tenderit.

“Vlera në total e Furnizimit me Wiski Ballantines 0.70 L 40% Alkohol është 412 Euro. Ndërsa, vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender ka qenë  999 euro për arsye se vlera e aktivitetit të prokurimit ka qenë Vlerë Minimale”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Ata e kanë cituar nenin 19 Pika 4 e Ligjit për Prokurim Publik (LPP).

“Kontratat në vijim konsiderohen ‘kontrata me vlerë minimale’: Çdo kontratë publike vlera e parashikuar  e së cilës është më e vogël se, ose me arsye pritet që të jetë më e vogël se një mijë (1.000) Euro”, thuhet ne nenin 19, pika e 4 e LPP-së.

Me tej, menxhmenti i kësaj kompanie thotë se këtë proces të prokurimit e kanë bërë me miratimin e Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie.

Me ndryshim-plotësimin e  Ligjit për Prokurim Publik i cili hyri në fuqi në janarin e vitit të kaluar, vetëm tenderët me vlerë minimale aplikohet procedurë e mbyllur. Tenderë me vlerë minimale është tenderët që kanë vlerë të parashikuar nën 1,000 euro. Kjo procedurë zhvillohet në atë mënyrë që Autoriteti Kontraktues i kontakton tre operatorë ekonomikë prej të cilëve kërkon oferta për një furnizim të caktuar. Pas pranimit të ofertave, Autoriteti Kontraktues bën përzgjedhjen e njëri prej tyre sipas kritereve të përcaktuara.

Kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” Sh.A, është kompani publike e cila merret me mirëmbajtjen e pastërtisë dhe higjienës publike dhe bartjen e mbeturinave për komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.

Kjo kompani operon qe 55 vjet dhe është në pronësi të komunave sipas përqindjes së aksioneve.

http://kallxo.com/ku-po-shkon-ky-berllok/