Lorenzo D'Addario, komandant i KFOR-it. Foto: Atdhe Mulla

Gjenerali i NATO-s kujton shpresat dhe tmerret e fillimit të misionit në Kosovë

Gjeneral majori Lorenzo D’Addario, i cili u vendos për herë të parë në Kosovë pasi trupat e NATO-s u vendosën aty dy dekada më parë dhe tani drejton forcën e aleancës perëndimore në Kosovë, kujton vuajtjet që pa dhe bën thirrje për dialog dhe kompromis për krijimin e një paqeje të qëndrueshme.

 

Në pranverën e vitit 1999, kur NATO po paralajmëronte vazhdimisht se Kosova ishte në prag të një katastrofe humanitare pasi mijëra shqiptarë të Kosovës vazhdonin të largoheshin nga vendi për t’i shpëtuar forcave serbe, vajza e vogël e Lorenzo D’Addario i bëri atij një pyetje.

“Duke parë imazhe të tmerrshme të luftës, një ditë vajza ime pesëvjeçare më pyeti: ‘Babi, kur do të shkosh t’i ndihmosh këta njerëz?’”, kujton D’Addario në një intervistë me BIRN përpara 20 vjetorit të hyrjes së parë të trupave perëndimore në Kosovë më 12 qershor 1999.

Në atë kohë, NATO po vazhdonte fushatën e saj ajrore kundër Jugosllavisë, por D’Addario, atëherë një major i ri në Ushtrinë Italiane, nuk e dinte se së shpejti ai do të bëhej pjesë e një force shumëkombëshe që do të shpërndahej pas përfundimit të luftës.

Dy muaj më vonë, kur arriti në Kosovë si pjesë e misionit të NATO-s, trupat e saj kishin mbërritur nga toka dhe ajri pas një rezolute të OKB-së, ai pa me sytë e tij dëshmi të shkatërrimit.

D’Addario – tani një gjeneral major i cili komandon misionin e KFOR-it të NATO-s në Kosovë – kujton pasditen që mbërriti dhe atmosferën “shumë të tmerrshme” që hasi.

“Njerëzit kishin vuajtur për muaj të tërë. E dija që para se të mbërrija atje se kishte vuajtje, mizori që ndodhën këtu, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta ndalur këtë gjë. Situata ishte e rëndë, shumë e vështirë,” tha ai.

Por ai gjithashtu e kujton vendosjen e tij të parë në Kosovë në vitin 1999 si një periudhë mësimi.

“Për një ushtar, kjo është një ndjesi fantastike, sepse e ndien që po bën diçka të vlefshme dhe ndien se po e realizon veten si qenie njerëzore dhe si profesionist. Ne mendonim se po bëjmë diçka shumë të rëndësishme,” shpjegoi ai.

Si një oficer stafi në selinë e misionit të KFOR-it në Prishtinë në atë kohë, D’Addario tha se kjo ishte emocionuese për ushtarët si ai, edhe pse ai gjithashtu donte të theksonte se “asgjë nuk ishte heroike” gjatë vendosjes së tij.

Ai kujton se gjatë lëvizjes përgjatë rrugëve të Kosovës, ai pa njerëz që kishin përjetuar “humbje të mëdha” dhe ishin kapluar nga “hidhërimi, pasiguria dhe frika”.

Në një qytet ku nuk kishte energji elektrike, një gjë që i bëri përshtypje D’Addarios pasi mbërriti në Prishtinë ishte se çdo apartament kishte një antenë satelitore dhe njerëzit ishin të etur për të mësuar se çfarë do të ndodhte më pas.

Lufta përfundoi zyrtarisht në qershor, por dhuna vazhdoi edhe pas kësaj, pasi refugjatët e Kosovës të kthyer në shtëpi morën haj ndaj serbëve.

“Njerëzit donin të dinin nëse duhet të qëndronin apo të iknin.  Kishte një ndjesi rreziku të pashmangshëm, një det pasigurish,” tha ai.

“Patëm momente konfrontimi”

Hyrja e KFOR-it në Kosovë në qershor 1999. Foto: NATO JFC Napoli

D’Addario u kthye në Kosovë për vendosjen e tij të dytë në shkurt 2004, si komandant i kontingjentit italian të forcës së NATO-s në Pejë, në perëndim të vendit.

Një gjë që i bëri përshtypje atij ishte rindërtimi i shpejtë i vendit dhe shumë ndërtesa të larta që ngriheshin ndërsa Kosova, ende nën administrimin e OKB-së në atë kohë, përpiqej të rimëkëmbej nga lufta.

Por disa ditë pasi ai arriti atje, në mars 2004, shpërtheu dhuna më e keqe ndëretnike në Kosovë që nga përfundimi i luftës duke lënë 19 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Duke qenë komandant batalioni, ai pa se si paqeruajtësit e OKB-së dhe trupat e NATO-s u përpoqën shumë që të shmangin përleshje të ashpra me armë midis serbëve dhe shqiptarëve etnikë, ndërsa trupat e tij përpiqeshin të shpëtonin nga shkatërrimi kishat dhe manastiret ortodokse serbe.

“Patëm momente konfrontimi dhe ishte shumë e vështirë. Ndjesia ishte se kjo ishte vërtet një humbje kohe dhe se njerëzit po përdoreshin për gjëra kundër interesit të tyre. Ishte një shfaqje njerëzish si të dehur me emocione dhune, që shkatërronin gjëra të ndërtuara me aq shumë pasion dhe mund brenda vetëm disa orëve. Ishte një moment zhgënjimi,” kujton ai.

Megjithatë, si së shpejti do të fillonte të shikonte – “në fytyrat e fëmijëve”, siç e thotë ai – shpresat për një të ardhme më të shndritshme, me njerëz që donin të linin pas të kaluarën e dhimbshme dhe të hiqnin barrën e madhe që u kishte lënë ajo.

“Ishte një lloj ndjesie sikur njerëzit donin të kthenin faqe,” tha ai. “Mund të ndienim se përpara na pret një jetë.”

“Kosovës i nevojitet kohë, dialog dhe kompromis”

Lorenzo D’Addario, komandant i KFOR-it. Foto: Atdhe Mulla

D’Addario mori komandën e trupave të KFOR-it të NATO-s në fund të vitit 2018 dhe tha se misioni ishte ende “i vendosur të vazhdonin të ruanin një mjedis të sigurt”, dy dekada pasi aleanca ushtarake perëndimore dërgoi trupat e saj aty.

“Kombet e NATO-s kanë riafirmuar së fundmi angazhimin e tyre ndaj KFOR-it dhe po vendosin tani mënyrën se si do të vazhdojnë ta mbështesin këtë forcë dhe nuk shoh ndonjë ndryshim domethënës në angazhimin e aleancës,” tha ai.

I pyetur për incidentet në të cilat tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar, siç ndodhi muajin e kaluar kur Serbia vuri trupat e saj në “gatishmëri luftarake” pas një bastisjeje nga policia e Kosovës në zonat e populluara nga serbët, D’Addario u përgjigj se “situata nuk është aq e tensionuar siç lexoni shpesh nëpër gazeta dhe ato nuk përfaqësojnë realitetin”.

Megjithatë, ai tha se Kosova është ende një mjedis në të cilin njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj retorikës politike që mund të shkaktojë destabilizim dhe u zotua se forcat e tij do të qëndrojnë vigjilente: “Gjëja më e keqe që mund të ndodhë në siguri është llogaritja e gabuar,” tha ai.

Komandanti i KFOR-it u shpreh se Kosovës i nevojitet “kohë, bindje, dialog dhe kompromis” për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe tha se NATO po garantonte një mjedis të sigurt për t’u dhënë politikanëve hapësirë për të folur.

“Nuk do të kishte dialog, nëse nuk do të kishte siguri. Por do t’ju duhen edhe kushte politike. Sa herë që është e nevojshme, KFOR-i është i gatshëm të veprojë,” tha ai.

NATO nuk mban asnjë qëndrim në lidhje me bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që synojnë normalizimin e marrëdhënieve, por D’Addario paralajmëroi se çdo zgjidhje për problemet aktuale do të përfshijë ndryshime.

“Disa njerëz do të jenë të lumtur me ndryshimet, disa të tjerë jo. Kështu që ne do të duhet të jemi gjithmonë vigjilentë,” tha ai.

“E kuptoj që ka marrëveshje, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të negociojnë. Por unë i kujtoj gjithmonë vetes njerëzit që kanë parë tragjedi në një të kaluar jo të largët. Ajo që ka rëndësi, për mendimin tim, është që s’duhet të lejoni kurrë që koha të kthehet pas,” shtoi ai.

D’Addario beson se “është bërë një progres shumë i madh” në Kosovë që nga koha e luftës, edhe pse nuk është bërë mjaftueshëm për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të luftës.

“Në vlerësimin e progresit të përgjithshëm, kjo nuk ka qenë kurrë e kënaqshme,” tha ai.

“Vetëm pajtimi dhe marrëveshja politike janë kushte për t’u përballur vërtet me të kaluarën e dhimbshme.”