Ekipi i Shpend Ahmetit e Fatmir Limajt shpenzuan 22 mijë euro për bileta

Ndonëse kanë udhëtuar vetëm dy herë në Bruksel, Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë deri më tani ka shpenzuar 42 mijë e 763 euro nga buxheti prej 300 mijë euro që i posedon.

Një ekip prej 9 burrave kishte marrë bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ulen në tavolinë me palën serbe për gjetjen e një zgjidhje në mes të të dyja vendeve.

6 muaj më herët, më 15 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në mes shumë problemeve e diskutimeve, me 59 vota pro caktoi ekipin që do të negocionte me Serbinë.

Më vonë, Qeveria e Kosovës do të vendoste t’i ndante një buxhet prej 300 mijë euro këtyre burrave për nevoja të ekipit.

Ndonëse kanë kaluar 6 muaj, ky ekip negociator ka udhëtuar vetëm dy herë për në Bruksel.

Ilir Cacaj, zëvendëskoordinator i ekipit ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, se nga informacionet që ka, kryesuesit ekipi negociator kanë udhëtuar dy herë për në Bruksel brenda kësaj kohe.

“Edhe pse nuk kam qenë i angazhuar në atë periudhë kur janë kryer udhëtimet, sipas informatave që kam, kane qenë 2 herë”, ka thënë Cacaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Biletat e këtyre udhëtimeve i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 22 mijë e 251 euro.

Ky ekip negociator i ka të angazhuar edhe 12 persona që punojnë në zyrën administrative.

“Shpenzime udhëtimi (bileta aeroplani) për disa udhëtime në Bruksel kanë kushtuar 22,251.46 euro, shpenzime akomodimi dhe ushqimi (punëtori në Tiranë) për të gjithë anëtarët e Delegacionit dhe stafit përcjellës kanë kushtuar 3,452.19 euro dhe për paga 17,060.00 euro”, ka thënë përmes e-mailin zëvendëskoordinatori i ekipit, Ilir Cacaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar prej ekipit negociator të na jep edhe emrat e 12 personave që janë punësuar, por në përgjigjet e tyre nuk i kanë përcjellë emrat e të të punësuarve.

“Listat e të punësuarve nuk është në autoritetin tim ti nxjerr jashtë zyrës. Prandaj ju lutem drejtohuni te kryesuesit e Delegacionit”, thuhet në përgjigjen shtesë të Cacajt.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka përcjellë pyetjet edhe në adresë të bashkëkryesuesit të delegacionit, Shpend Ahmeti për të kuptuar se kush janë të punësuarit në këtë zyrë.

Në anën tjetër, as një nga anëtarët e ekipit negociator nuk marrin pagë. Ata deri më tani nuk kanë marrë as mëditje, por nuk përjashtohet mundësia që t’i marrin ato.

“Paga nuk është paraparë të marrin. Mëditje nuk kanë marrë deri më tash, ndërsa në të ardhmen nëse duhet do të marrin”, ka thënë Cacaj për Gazetën JnK.

Në mandatin e qeverisë së kaluar ku dialogun e Brukselit e drejtonte Edita Tahiri për bileta të aeroplanëve ishin shpenuzar 47 mijë euro në vitin 2015 dhe po aq ishin shpenzuar edhe për një vit më vonë, në 2016.

Në mars të 2017, Gazeta Jeta në Kosovë kishte publikuar shpenzimet për dialogun e Brukselit, nga ish ministrja Edita Tahiri. 

Për dy vite (2015-2016) ishin shpenzuar mbi 600 mijë euro nga Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut që në atë kohë quhej, për normalizim të mardhënieve.

Diskutimi për krijimin e këtij ekipi negociator ka zgjatur për një kohë të gjatë.

Partitë në pushtet i kanë ftuar disa herë kolegët e tyre në opozitë që bëhen pjesë e ekipit negociator. Përveç PSD që iu është bashkangjitur, partitë e tjera opozitare kanë refuzuar të jenë në këtë ekip.

Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate janë kryesuesit e këtij delegacioni ndërsa, anëtarët janë, Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Yagcilar KDTP, Dardan Gashi AKR, dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

Përveç kësaj, janë rezervuar dy vende për LDK-në dhe LVV-në që e kanë bojkotuar këtë ekip, ndërsa Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani janë emrat që do të zëvendësojnë këta në pritje.

Anëtari i ekipit, Avni Arifi para disa muajsh është emëruar ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendi i tij në delegacion ende është vakant, pasi që partia e tij, AAK nuk e ka zëvendësuar.

https://kallxo.com/aak-ende-se-ka-caktuar-zevendesin-e-avni-arifit-ne-ekipin-negociator/

 

12 Qershor 2019 - 20:40

Taulant Osmani 12/06/2019 - 20:40
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend